Kontratat e majme për armët e kanë vënë në qendër të akuzave politike sipërmarrësin izraelit me pasaportë shqiptare, Ron Yeffet. Por një tjetër furtunë duket në horizont. Miku i ngushtë i kryeministrit Edi Rama duket se po përgatitet të marrë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pas përzënies së Behgjet Pacollit. Ai ka hapur ndërkohë kompaninë e re që i duhet për këtë qëllim.
Nga Zoom.al
Ëndrra e kahershme për t’i shtrirë tentakulat në fushën e aviacionit shqiptar duket se po i bëhet realitet biznesmenit izraelit me pasaportë shqiptare, Ron Yeffet.
Përpjekjet e mikut të ngushtë të kryeministrit Edi Rama nisën që në vitin 2018. Në maj të atij viti, pak muaj pasi Rama dhe presidenti turk Erdogan bënë publike idenë e krijimit të një linje shqiptaro-turke, të pagëzuar më vonë si “Air Albania”, biznesmeni kontrovers Sinan Idrizi krijoi një shoqëri që merrej kryesisht me çështje të aviacionit, por edhe me ndërtime dhe operime aeroportesh ndërkombëtare.
Kompania “MDN Investment” u krijua më 5 korrik 2018. 13 ditë më pas, më 18 korrik, Sinan Idrizi i shet 23% të aksioneve të “MDN” biznesmenit Ron Yeffet për vetëm 23 mijë lekë, ose afro 230 euro. Por pas 1 muaji, më 28 gusht 2018, ai u largua nga “MDM Investment” dhe ia rishiti aksionet familjes së Sinan Idrizit.
Ajo që ndodhi me këtë operacion nuk u mësua kurrë. Dyshimet janë se Erdogan nuk pranoi ta kishte Yeffet ortak në “Air Albania”. Aksionet e shoqërisë u ndanë mes Turkish Airlines me 49%, “MDN Investment” me 31% dhe Albcontrol me 10%.


Paralelisht me “Air Albania” në qarqet politike dhe të biznesit po flitej edhe ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Fillimisht, projekti i Aeroportit të Vlorës iu besua një konsorciumi turk “Cengiz-Kalyon-Kolin”, i cili lidhej ngushtë me të njëjtët partnerë turq dhe shqiptarë që po negocionin krijimin e linjës ajrore kombëtare. Por më pas ajo iu dha një tjetër konsorciumi brenda të cilit ishte sërish një kompani turke, e cila u tërhoq pasi mori një shumë të konsiderueshme parash, siç ka deklaruar publikisht Behgjet Pacolli, pjesë e grupit që fitoi koncesionin.
Skema që u përdor nga dyshja Yeffet – Idrizi ishte e thjeshtë. Ata hapën një kompani me objekt të dedikuar ndërtimit të aerporteve ndërkombëtare apo të operimit të fluturimeve, ndonëse nuk kishin asnjë eksperiencë të mëparshme dhe më pas tentuan ta marrin projektin pa garë, përmes lidhjeve me kryeministrin, siç ka ndodhur me shumë vepra të tjera publike vitet e fundit.
E njëjta skemë duket se po përgatitet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pasi ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi ta përzërë nga koncesioni biznesmenin Behgjet Pacolli pas vonesave në ndërtimin e projekti si pasojë e konflikteve me ortakun e tij, Valon Ademi, një njeri me lidhje të forta në kupolën e Partisë Socialiste.
Më 11 qershor të këtij viti Ron Yeffet dhe ortakja e tij shqiptare Arjeta Puca vendosin të themelojnë shoqërinë “Timak Aviation”. Sipas dokumentave të regjistruara në QKB, “kjo shoqëri ka për objekt ushtrimin e veprimtarisë në fushën e aviacionit civil, transportit ajror, shërbimeve ajrore dhe shërbimeve mbështetëse të lidhura me to, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Në përshkrim janë pikërisht të dhënat që i duhen një kompanie që të operojë një aeroport të nivelit ndërkombëtar.

E ngjashme qe skema edhe për të marrë kontratat e armëve. Arjeta Puca, një shtetase shqiptare me origjinë nga Bulqiza, e promovuar nga vetë kryeministri Rama për ndërtimin e një mjeti me pamje ushtarake dhe adaptimin e disa autoambulancave për të ndihmuar në luftën në Ukrainë, hapi në vitin 2016 një shoqëri të quajtur “TIMAK”. Në 10 vjet kjo kompani pati të ardhura modeste. Për shembull, bilanci i vitit 2018 rezulton me një xhiro prej 36 mijë eurosh.


11 vjet më vonë, më 17 qershor të vitit 2025 Arjeta Puca vendos t’i shesë 49% të aksioneve biznesmenit Ron Yeffet, për vetëm 490 euro. Pak javë më vonë, në gusht të 2025 ata themeluan kompaninë “TIMAK DEFENCE”, një partneritet mes “TIMAK” që ka 80% të aksioneve dhe shoqërisë shtetërorë “KAYO” që ka 20% të aksioneve.
Po më 4 gusht 2025, Ron Yeffet u regjistrua zyrtarisht në Regjistrin e Pronarëve Përfitues në QKB si zotërues indirekt i 39.2% të pronësisë së “TIMAK DEFENCE”.
Futja e Yeffet në biznesin e armëve ndodhi pak kohë pasi shteti kishte krijuar shoqërinë “KAYO” që do të merrej me prodhimin e armëve dhe mjeteve ushtarake. Në 1 vit, kompania “TIMAK DEFENCE” ka përfituar nga buxheti i shtetit 31 milionë euro, pa garë, nga 36 mijë euro xhiro që kishte mëma e saj “TIMAK” pak vite më parë.
Teksa “TIMAK DEFENCE” po prodhon para në shuma marramendëse, thasët duhen mbushur edhe për “TIMAK AVIATION”. Dyshja Yeffet – Puca synojnë ta kthejnë edhe atë në një kompani fitimprurëse, sërish përmes kontratave shtetërore. Burime të Zoom.al thonë se Yeffet do të marrë menaxhimin e aeroportit të Vlorës, ndërkohë që Behgjet Pacolli po përgatitet ta çojë Shqipërinë në arbitrazh për të kërkuar afro 500 milionë euro, investim, dëme dhe fitimin e munguar.
Gazeta RD
