Nga Luçiano BOÇI
Mirela Kumbaro paska zbuluar më në fund një funksion të ri të arsimit.
Edukimin elektoral përmes legalizimeve!
Sipas denoncimit të kryebashkiakut të Memaliajt, Albert Malaj, banorët e Izvorit janë thirrur në Prefekturën e Gjirokastrës për t’u komunikuar se u kishte dalë leja e legalizimit.
Çudi e madhe!
Legalizimet aplikohen përmes e-Albania, dokumentacioni përpunohet nga institucionet përkatëse, por lajmin e mirë duhet ta japë personalisht “kumbara”. Sepse dokumenti është i shtetit, por merita duhet t’i faturohet partisë!
Miliona euro për digjitalizimin, por kur afrohet nevoja elektorale, e-Albania del jashtë përdorimit dhe rikthehet sistemi më i vjetër i administratës socialiste: qytetari, prefektura, patronazhisti dhe “kumbara” politike.
Legalizimi nuk është dhuratë e Kumbaros. Nuk është nder i prefektes. Është një e drejtë e qytetarit, e paguar me taksat e tij.
Ironia bëhet e hidhur kur kujtojmë 300 banesat e Izvorit me çati eterniti që përmbajnë asbest. Për largimin e rrezikut nga kokat e banorëve, fondi u dogj dhe institucionet heshtën.
Por ama për ceremoninë e legalizimeve, dyert e Prefekturës u hapën menjëherë.
Ndërsa për asbestin, asnjë zgjidhje.
Për legalizimet, Kumbara është gati.
Për qytetarët, harresë.
Për votat, përkujdesje personale!
Denoncimi duhet të hetohet menjëherë. Prefektura nuk është zyrë elektorale, legalizimet nuk janë tapi partie dhe qytetarët e Memaliajt nuk janë inventar votash.
Shteti jep shërbime. Vetëm pushteti i Ramës kërkon të marrë vota edhe për dokumentet që qytetarëve u takojnë me ligj.
Gazeta RD