Mirela Kumbaro është e vetmja ministre që ka vijuar të jetë pjesë e qeverive të Edi Ramës përgjatë katër mandateve, duke mbajtur poste të rëndësishme në kabinet.
Ndërsa ndaj saj janë ngritur në media dyshime dhe denoncime për një sërë aferash të pretenduara, përfshirë çështje mjedisore, ndërtime në zona të mbrojtura dhe procedura tenderimi, Kumbaro ka vijuar të gëzojë besimin e kryeministrit. Aktualisht ajo drejton Ministrinë e Arsimit, ndërsa më herët ka mbajtur postet e ministres së Kulturës dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit.
Dy ditë më parë, Rama publikoi nga Pogradeci një video ku bashkëbisedonte me inteligjencën artificiale “Diella” dhe e pyeste për ministren Kumbaro. Në përgjigje nuk u përmendën polemikat dhe denoncimet që kanë shoqëruar emrin e ministres ndër vite.
Pasuria e paluajtshme
Në deklarimet e pasurisë, Mirela Kumbaro rezulton të ketë në pronësi, së bashku me bashkëshortin e saj, Aleksandër Furxhi, disa apartamente dhe garazhe.
Sipas të dhënave të publikuara, në emrat e tyre figurojnë apartamente me sipërfaqe:
- 128 m²
- 95 m²
- 119 m²
- 108 m²
- 87 m²
- 69 m²
- 92 m²
- 55 m²
- 103 m²
Si burim për krijimin e pasurisë së paluajtshme deklarohen kursimet nga të ardhurat familjare, kryesisht pagat dhe honoraret.
Sipas deklarimeve, rreth 60% e të ardhurave familjare vijnë nga paga dhe honoraret e bashkëshortit të Kumbaros, ndërsa rreth 20% nga paga e ministres. Pjesa tjetër lidhet me të ardhurat nga qiratë dhe burime të tjera.
Djali i Kumbaros, i punësuar në strukturë shtetërore
Në vitin 2025, djali i ministres, Tom Furxhi, rezulton i punësuar pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, strukturë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes që merret me zhvillimin dhe tregtimin e industrisë së mbrojtjes.
Më herët, në media është raportuar se Furxhi ka punuar edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Holandë dhe në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, institucion ky që është përfshirë në hetime të SPAK.
Megjithatë, sipas materialeve të publikuara, në deklarimet përkatëse të pasurisë nuk rezultojnë të ardhura të deklaruara nga punësimet e mëparshme të raportuara në këto institucione.
Këto të dhëna rikthejnë në vëmendje jo vetëm jetëgjatësinë politike të Mirela Kumbaros në qeveritë e Ramës, por edhe çështjet që lidhen me pasurinë dhe karrierën e familjarëve të saj./Publik.al
Gazeta RD

