Nga Nikola KEDHI
Ky është realiteti i “mrekullisë ekonomike” që propaganda na shet çdo ditë.
Sipas të dhënave të sotme të Eurostat, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri janë tashmë 3.8% mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Në 6 nga 12 grupet kryesore ushqimore paguajmë më shumë se mesatarja e BE-së.
Për qumështin, bulmetin dhe vezët, shqiptarët paguajnë 35.6% më shumë se europiani mesatar.
Në rajon? Kemi çmimet më të shtrenjta.
Pra kemi krijuar paradoksin shqiptar:
Qytetari e blen ushqimin shtrenjtë, dhe ushqimi përbën mbi 60% të buxhetit të një familje shqiptare. Fermeri e shet prodhimin lirë e nuk mbijeton dot në treg. Prodhimi vendas vazhdon tkurret e thellon krizën. Importet rriten. Kriminalizimi i ekonomisë vazhdon.
Kush fiton atëherë?
Kjo nuk është ekonomi tregu. Është rezultat i një modeli klientelist që për vite ka goditur prodhimin, konkurrencën dhe fermerin shqiptar, ndërsa qytetarit i ka lënë faturën. Nëse mbyt prodhimin vendas, i ze frymën sipërmarrjes me taksa e gjoba, nuk garanton konkurrencë të drejtë e favorizon oligarkët, varësia nga importet do rritet, fuqia blerëse do ulet e çmimet do rriten gjithnjë e më shumë.
Një vend me tokën, klimën dhe potencialin bujqësor të Shqipërisë nuk ka pse të ketë ushqimet më të shtrenjta në rajon. Është emergjencë kombëtare përmbysja e kësaj situate dhe çrrënjosja e këtij sistemi.
Ne do ta ndryshojmë plotësisht këtë model. Duke ulur kostot e prodhimit. Duke rikthyer e garantuar konkurrencën. Duke investuar në ujitje, teknologji, magazinim dhe agropërpunim. Duke lidhur fermerin shqiptar me tregun dhe me turistët që vijnë çdo vit.
Fermeri duhet të fitojë më shumë. Qytetari duhet të paguajë më pak e të ketë mundësi të blejë më shumë. Shqipëria duhet të prodhojë më shumë.
Kjo është ekonomia normale që do të ndërtojmë me Shqipërinë Prodhuese.
Gazeta RD