Kryetari i PD, Sali Berosjha prezantoi para anëtarëve të Këshillit Kombëtarstudimin studimin e Institutit Republikan.
Berisha tha se, PD nuk përballet me krizë idesh apo lidershipi, por i duhet një platformë digjitale e centralizuar si sistem operativ i parties.
Kreu i PD vuri në dukje dhe propozimin e Institutit Republikan për ngritjen e një platforme digjitale të brendshme dhe të centralizuar, e cila do të shërbejë si sistemi operativ i partisë.
Berisha: Tani unë kam një material këtu të Institutit Republikan. Konfidencial, por unë vendosa ta bëj publik, t’ua lexoj pjesën kryesore si për ju edhe për të gjithë anëtarët tanë.
Po pse? Se kur i dëgjojmë, kur i shohim, na frymëzojnë për të ndryshuar.
Ky institut, me qëllimin më të mirë për të ndihmuar Partinë Demokratike, ka ardhur, ka takuar anëtarë, drejtues, deputetë, qytetarë dhe ka bërë një studim të thelluar.
Ka bërë rekomandime dhe konkluzione jashtëzakonisht të dobishme. Do më lejoni t’ua lexoj jo pjesën teknike, por pjesën, të themi, politike organizative.
‘Partia Demokratike nuk përballet me një krizë idesh, lidershipi apo rëndësie politike. Ajo përballet me mungesën e një sistemi të brendshëm koherent, të aftë për të përkthyer qëllimin politik në veprim organizativ të koordinuar. Një sfidë strukturore kjo që është zhvilluar gradualisht përgjatë kohës’.
E kanë studiuar ata si është zhvilluar kjo, edhe i kanë parë gjithë historikun.
‘Pavarësisht se zotëron një strukturë formale të përcaktuar të qartë, partia aktualisht nuk funksionon si një sistem operativ i integruar. Flukset e komunikimit janë të fragmentuara, përgjegjësitë nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe përkthimi i vendimeve të lidershipit në mesazhe të strukturuara dhe të zbatueshme është i paqëndrueshëm. Mjetet joformale të komunikimit kanë zëvendësuar gradualisht kanalet formale dhe duke bërë këtë, kanë sjellë shpejtësi pa kontroll dhe akses pa qartësi’.
‘Me kalimin e kohës këto dinamika kanë kontribuar në rënien e kohezionit organizativ dhe në një hendek në rritje midis strukturës formale apo ekzistuese dhe ekzekutimit operativ, pra funksionalitetit të saj. Duke njohur këto sfida, lidershipi i partisë nisi një përpjekje më të gjerë për të modernizuar koordinimin, komunikimin dhe proceset organizative në përputhje me realitetet politike bashkëkohore dhe objektivat strategjike afatgjata të partisë. Kjo përpjekje për modernizim pasqyron jo vetëm një domosdoshmëri organizative, por dhe një vizion të qartë politik të dëshmuar nga lidershipi i partisë dhe kryetari. Gatishmëria për të përqafuar mjetet digjitale, proceset e bazuara në të dhëna dhe teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale tregon një kuptueshmëri se modernizimi organizativ nuk është opsional, por një kusht themelor për efikasitetin politik, reagim të shpejtë, konkurrueshmërinë afatgjatë’.
Për ripërtëritjen pra, është kusht themelor për t’u ripërtërirë. Po zotëri, nuk mund të thuash ç’më duhet mua TikToku. Nuk mund të dalësh jashtë TikTokut, se kemi 40% të elektoratit që sheh vetëm TikTokun dhe merr lajmet nga TikToku. Është një gjeneratë. Mora një shembull.
‘Diskutimet e brendshme e kanë artikuluar këtë realitet me një saktësi të jashtëzakonshme’.
Pra ata u kanë takuar ju, kanë diskutuar me ju dhe kanë gjetur se pikëpamjet ekzistojnë dhe janë të drejta.
‘Komunikimi është i fragmentuar, përgjegjësitë janë të shpërndara, disiplina pritet, por nuk zbatohet në mënyrë sistematike dhe kanalet joformale të komunikimit, veçanërisht WhatsApp-i, janë bërë mekanizma dominues të shpërndarjes së informacionit’.
Realiteti ky është, ne WhatsAppin kemi.
‘Mesazhet shpesh interpretohen në vend që të zbatohen. Interpretohen, por nuk zbatohen. Dhe nuk ka asnjë burim të vetëm autoritar, nga i cili anëtari mund të marrë qartësi mbi qëndrimin e partisë për një çështje të caktuar’.
E kuptoni ku është anëtari ynë? E kuptoni ju se çfarë problemi? ‘Nuk ka asnjë burim të vetëm autoritar nga i cili anëtarët mund të marrin qartësi mbi qëndrimin e partisë për një çështje të caktuar’.
Pavarësisht se anëtari ka kryetarin, ka kryetarin e grupseksionit, kryetarin e degës, udhëzuesin politik, kryetarin e partisë e të tjerë. Nuk ka, e ka gjetur, i ka takuar anëtarët. ‘Ky dokument, policy paper, propozon zhvillimin e një platforme digjitale të brendshme dhe të centralizuar, e cila do të shërbejë si sistemi operativ i partisë’.
‘Platforma nuk është konceptuar si një përmirësim i thjeshtë teknologjik, por si një instrument strukturor i projektuar për të vendosur qartësi, disiplinë, llogaridhënie në operacionet e përditshme. Ajo do të jetë vendi ku vendimet përkthehen në mesazhe, mesazhet në veprime të koordinuara dhe veprimet në rezultate të matshme’.
Të matshme, vlerësim.
‘Duke bërë këtë, platforma do rikthejë aftësinë e partisë për të funksionuar në mënyrë të unifikuar dhe të strukturuar, duke forcuar kapacitetin e saj për të vepruar si një organizatë politike më e disiplinuar, moderne dhe e orientuar drejt së ardhmes.
Gazeta RD