Berisha: Ripërtëritja jonë është kushti themelor për të fituar besimin masiv të shqiptarëve!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar se, ripërtëritja jonë është kushti themelor për të fituar besimin masiv të shqiptarëve. Sot çdo demokrat duhet të jetë i frymëzuar për ripërtëritjen.

Ai theksoi se, detyra jonë e dytë themelore në këtë mbledhje është diskutimi mbi ripërtëritjen e PD-së.

Berisha: Tani, të dashur miq, do dalim tek detyra jonë e dytë themelore për të cilën kemi thirrur këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar.

Detyra jonë e dytë themelore në këtë mbledhje është diskutimi mbi ripërtëritjen e PD-së.

Nuk ndalet!

Nëse fjala rithemelim ia doli të shpëtojë PD-në nga tentativat e Edi Ramës për ta vendosur atë nën kontroll, tani motoja ripërtëritje do të bëjë të mundur ardhjen e PD në pushtet.

Kaq jetike është pra ripërtëritja sepse sot Shqipëria është në sallë urgjence. Është në nevojë jetike për ripërtëritje.

Domosdoshmëria e ripërtëritjes së PD buron nga domosdoshmëria, thirrja e Shqipërisë për ripërtëritje.

Shqipëria është në kushte të një krize të thellë të gjithanshme.

Misioni i ripërtëritjes së saj nuk është i lehtë.

Ekonomia shqiptare duhet të ripërtërihet më së pari. Sirenat e urisë nuk duhet të klithin më, por duhet të heshtin përgjithmonë sepse kemi arritur në atë pikë kur qytetari nuk siguron dot ushqimet bazë për shkak të çmimeve të larta dhe të ardhurave të ulëta. Ku 30 përqind e popullatës kërcënohet nga uria.

Minimumi jetik, heqja e TVSH-ë për ushqimet bazë është emergjencë e të gjitha emergjencave.

Ekonomia e drogës nuk është ekonomia e qytetarëve, por e narkoqeveritarëve, narkotrafikantëve, narkobiznesmenëve. Shqipëria ka regjistruar këto muaj rënien më të madhe të prodhimit në Evropë pas Ukrainës. Kjo është e vërteta e ekonomisë shqiptare që padrinoja dhe sejmenët e mburrin dhe e lavdërojnë. Një ekonomi me rënie pikatë të prodhimit.

Por në qoftë se bie prodhimi, do të thotë shkatërrim masiv i vendeve të punës. Kurse ky si Maduro thotë se forcimi i lekut na vjen nga forcimi i ekonomisë.

Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe karteleve të drogës do jetë qëndrimi ynë.

Agjenci kombëtare për gjetjen, hetimin, konfiskimin e të gjitha pasurive të paligjshme të narkoqeveritarëve, klaneve të biznesit, oligarkëve, narkotrafikantëve.

Shqipëria e ka urgjencë ripërtëritjen sepse shqiptarët sot kanjë rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon dhe në Evropë, nga më të lartat në rajon që i kishin gjer në vitin 2013.

Ata blejnë me çmimet më të larta në rajon dhe mbi mesataren e BE.

Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, raporti i drejtë midis rrogës mesatare dhe pensionit mesatar është zotimi ynë.

Shqipëria ka nevojë për ripërtëritje pasi narkoeurot kanë bërë që qiratë në Shqipëri të jenë 90 përqind e rrogës mesatare.

E thashë edhe më sipër, zero tolerancë ndaj krimit dhe drogës dhe ndërtimi i ndërtesave sociale gjer në normalizimin e çmimeve është zotimi i PD.

Shqipëria ka nevojë për ripërtëritje, shqiptarët kanë sot vdekshmëri 3 gjer në 4 herë më të lartë krahasuar me mesataren e qytetarëve evropianë.

Korrupsioni i papërmbajtur ka rrënuar sistemin shëndetësor. Ata janë qytetarët që paguajnë nga xhepi mbi 60 përqind të shërbimit të kujdesit shëndetësor, pra më shumë se gjithë të tjerët, por marrin shërbimet më të papërshtatshme.

Shëndetësia në koma duhet të ripërtërihet dhe ky është zotimi ynë.

Shqipëria ka nevojë për ripërtëritjen urgjente të arsimit, i cili po rrokulliset çdo vit e më poshtë. Përparësi absolute për sistemin arsimor, ky ka qenë dhe mbetet thelbi i programit tonë. Turizmi dhe ndërtimi duhet të çlirohen nga kapitali kriminal.

Lista e veprimeve është e gjatë. Por më e rëndësishme mbi të gjitha është se marrëdhënia e shqiptarit me Shqipërinë duhet të ripërtërihet.

Duhet të rikthejmë shpresën e humbur në këtë dekadë, duhet të luftojmë shpopullimin. Ky mision mund të arrihet vetëm nga një parti demokratike e ripërtërirë. Kur shqiptarët të shohin se kjo parti u ripërtëri, ata do të kuptojnë se ne do ripërtërijmë edhe Shqipërinë.

Pra, ripërtëritja jonë është kushti themelor për të fituar besimin masiv të shqiptarëve.

Dhe të jemi të sinqertë, sot çdo demokrat duhet të jetë i frymëzuar për ripërtëritjen. Sepse i kaluam ne të gjitha vështirësitë njëra pas tjetrës.

Dhe tani kemi hyrë në një fazë ku duhet të jemi në sulm, ku duhet të jemi në kilometrin e fundit, të sigurt drejt fitores.

About Redaksia

Check Also

Berisha prezanton studimin e Institutit Republikan: PD ka nevojë për një platformë digjitale të centralizuar

Kryetari i PD, Sali Berosjha prezantoi para anëtarëve të Këshillit Kombëtarstudimin studimin e Institutit Republikan. …