Farsa e bashkisë Vlorë: Ku Këshilli merr vendim jo vetëm për territorin e tij, por për fatin e komuniteteve të tjera

Nga Ylli ASLLANI

Një proces territorial nuk mund të quhet konsultim kur komunitetet që preken drejtpërdrejt nuk dëgjohen!

Ajo që ndodhi në Këshillin Bashkiak të Vlorës ngre një pyetje shumë më të madhe se fati administrativ i Selenicës, Orikumit, Novoselës apo Amantias.

Ngre pyetjen themelore:

A mund të ndryshohen kufijtë e një komuniteti pa dëgjuar vetë komunitetin?

Kjo nuk është thjesht çështje politike. Është çështje kushtetuese, demokratike dhe evropiane.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 108/2, përcakton qartë se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Po i njëjti nen parashikon se vetëqeverisja vendore ushtrohet përmes organeve përfaqësuese dhe referendumeve vendore.

Edhe standardi evropian është i qartë.

Neni 5 i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore përcakton se ndryshimet e kufijve të autoriteteve vendore nuk duhet të bëhen pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura. Raporti shpjegues i Kartës e konsideron ndryshimin e kufijve, dhe veçanërisht bashkimin e autoriteteve vendore, një çështje me rëndësi themelore për autoritetin vendor dhe qytetarët që ai shërben.

Pra, konsultimi nuk është dekor. Nuk është formalitet. Nuk është një takim për të plotësuar një procesverbal. Dhe sigurisht nuk mund të reduktohet në një votim të një këshilli bashkiak tjetër, nëse komunitetet që humbasin ose ndryshojnë statusin e tyre nuk janë dëgjuar realisht.

Truku procedural i rradhës

Nëse komuniteti i Selenicës shprehet kundër shkrirjes së bashkisë së tij, ndërsa komunitetet e Orikumit, Novoselës dhe Amantias shprehen për krijimin e njësive të tyre të veçanta, pyetja është shumë e thjeshtë:

Kush ka të drejtë të flasë në emër të tyre?

A mundet një këshill bashkiak i qytetit pritës të marrë një vendim që në thelb përcakton fatin territorial të komuniteteve të tjera?

A mundet një votim i këshilltarëve të Bashkisë Vlorë të zëvendësojë vullnetin e banorëve të Selenicës?

A mundet i njëjti votim të zëvendësojë vullnetin e banorëve të Orikumit, Novoselës dhe Amantias, të cilët kërkojnë të dëgjohen për statusin e tyre të ardhshëm?

Nëse përgjigjja është “po”, atëherë duhet të shpjegohet se ku mbeti parimi kushtetues se kufijtë nuk ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to?

Sepse Kushtetuta nuk thotë “mendimi i këshillit të bashkisë pritëse”.

Ajo flet për popullsinë që banon në territorin e prekur.

Nuk mund të krijohet një “konsultim zëvendësues”

Këtu qëndron edhe problemi më serioz i procesit.

Një konsultim real duhet të bëjë të mundur që qytetarët e komunitetit të prekur:

  • të informohen për propozimin;
  • të njihen me argumentet pro dhe kundër;
  • të paraqesin alternativën e tyre;
  • të dëgjohen në mënyrë të dokumentuar;
  • dhe që qëndrimi i tyre të merret realisht në konsideratë përpara vendimmarrjes.

Këshilli i Evropës e ka theksuar edhe në vlerësimet e fundit për reformën territoriale shqiptare se ndryshimet territoriale dhe bashkimet nuk janë në vetvete të ndaluara nga Karta, por komunitetet e prekura duhet të konsultohen paraprakisht dhe konsultimi nuk duhet të shndërrohet në një proces thjesht formal.

Prandaj, nëse qeveria paraqet një seri vendimesh të këshillave bashkiakë si provë se “komunitetet janë konsultuar”, pyetja që duhet bërë është:

Çfarë u pyetën realisht qytetarët dhe çfarë vendosën ata?

Sepse një gjë është konsultimi i një institucioni. Një gjë tjetër është konsultimi i komunitetit.

Dhe në çështjen e kufijve territorialë, komuniteti i prekur është aktori që nuk mund të anashkalohet.

Po kur këshilltarët votojnë kundër vullnetit të komunitetit?

Kjo është një tjetër çështje që kërkon prova të cilat shpesh janë të kuptueshme dhe pa i patur mbi tavolinë.

Fakti që votimi nuk u organizua i fshehtë sipas procedurave serioze flet më shumë se cdo gjë tjetër mbi presionin e partisë ndaj këshilltarëve

Por në një demokraci normale duhet të kërkohet transparencë absolute:

A kanë qenë këshilltarët e lirë të votojnë sipas bindjes së tyre dhe sipas interesit të komunitetit që përfaqësojnë?

Karta Evropiane e Autonomisë Vendore vendos edhe një parim të rëndësishëm: kushtet e ushtrimit të mandatit të përfaqësuesve vendorë duhet të mundësojnë ushtrimin e lirë të funksioneve të tyre.

Prandaj, nëse ekzistojnë prova për presione politike, administrative, ekonomike apo familjare ndaj këshilltarëve, ato duhet të dokumentohen dhe të bëhen publike.

Por edhe pa arritur deri te kjo pikë, ekziston një pyetje shumë më e fortë:

A votoi këshilli për atë që kërkuan banorët e territorit që përfaqëson, apo banorët u përdorën vetëm si justifikim për një vendim të marrë më parë?

Ky është dallimi midis përfaqësimit demokratik dhe formalizimit të një vendimi politik.

Dhe këtu lind pyetja më e madhe: pse nuk pyeten drejtpërdrejt qytetarët?

Nëse qeveria është e bindur se banorët e Selenicës duan të bashkohen me Vlorën, le t’i pyesë.

Nëse është e bindur se banorët e Orikumit nuk duan bashki më vete, le t’i pyesë.

Nëse është e bindur se banorët e Novoselës dhe Amantias duan të jenë pjesë e Bashkisë Vlorë, le t’i pyesë.

Çfarë e pengon?

Pikërisht këtu ndodhet testi i vërtetë demokratik.

Një qeveri që beson në vullnetin e qytetarëve nuk duhet të ketë frikë nga qytetarët.

Një qeveri që beson se reforma e saj është në interes të komuniteteve nuk duhet të ketë frikë nga konsultimi real.

Dhe një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian nuk mund ta trajtojë konsultimin si një procedurë për t’u plotësuar në letër.

Nuk mjafton të thuash: “E kemi konsultuar këshillin”

Kjo është ndoshta pika më e rëndësishme.

Këshilli bashkiak është organ përfaqësues. Por ai nuk është komuniteti.

Këshilltarët përfaqësojnë qytetarët, por nuk mund të përdoren si një mekanizëm për të anashkaluar drejtpërdrejt qytetarët kur vetë

Kushtetuta kërkon marrjen paraprake të mendimit të popullsisë së territorit të prekur.

Kjo bëhet edhe më e rëndë kur një këshill merr vendim jo vetëm për territorin e tij, por për fatin e komuniteteve të tjera.

Nëse ky mekanizëm përdoret në mënyrë sistematike për bashki të ndryshme, atëherë kemi një problem që nuk është më vetëm lokal.

Kemi një precedent institucional për mënyrën se si mund të ndryshohet harta territoriale e Shqipërisë pa u dëgjuar drejtpërdrejt komunitetet që preken prej saj.

Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të shqetësojë çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike.

Shqipëria nuk mund të kërkojë standarde evropiane në Bruksel dhe të përdorë standarde të tjera në territor

Sot Shqipëria aspiron integrimin evropian.

Por integrimi evropian nuk është vetëm ekonomi, kapituj negociues dhe përafrim ligjesh.

Është edhe demokraci lokale, autonomi vendore, subsidiaritet, transparencë dhe respekt për qytetarin.

Vetë Karta Evropiane e Autonomisë Vendore e konsideron qeverisjen vendore një nga themelet e demokracisë dhe kërkon mbrojtjen e komuniteteve dhe të autoriteteve vendore nga vendimmarrja e centralizuar arbitrare.

Prandaj pyetja për Vlorën nuk është: “A do të jetë Selenica pjesë e Vlorës?”

Pyetja është: “A do të vendosë qeveria për Selenicën pa Selenicën?”

Dhe po aq:

“A mund të vendoset për Orikumin pa Orikumin, për Novoselën pa Novoselën dhe për Amantian pa Amantian?”

Nëse përgjigjja është po, atëherë duhet të shpjegohet se si pajtohet kjo me nenin 108 të Kushtetutës dhe nenin 5 të Kartës Evropiane.

Nëse përgjigjja është jo, atëherë rruga është fare e thjeshtë:

Dëgjoni qytetarët. Dokumentoni vullnetin e tyre. Publikoni rezultatet. Dhe vetëm pastaj vendosni për hartën territoriale.

Kjo do të ishte një reformë evropiane.

Gjithçka tjetër rrezikon të jetë vetëm një procedurë për t’i dhënë pamjen e konsultimit një vendimi të marrë paraprakisht.

Përfundimi

Sot testi i reformës territoriale nuk është vetëm numri 61, 46 apo 100 bashki.

Testi i vërtetë është shumë më themelor: Kush vendos për territorin?

Qeveria? Partia? Këshilli i një bashkie tjetër? Apo qytetarët që jetojnë në atë territor?

Përgjigjja e Kushtetutës dhe e standardit evropian duhet të jetë e qartë:

Qytetarët duhet të dëgjohen. Jo pasi vendimi është marrë. Jo për të plotësuar një procesverbal. Jo për të legjitimuar një hartë të paracaktuar.

Por përpara vendimit dhe në mënyrë reale, transparente dhe të verifikueshme.

Sepse territori nuk është pronë e qeverisë.

Bashkia nuk është pronë e partisë.

Dhe qytetari nuk është thjesht dekor i një procesi konsultimi.

Territori u përket komuniteteve që jetojnë në të.

Demokracia fillon pikërisht aty ku zëri i tyre nuk mund të zëvendësohet.

About Redaksia

Check Also

Nisma e kongresistëve amerikanë/ Bajraktari: Mesazh i qartë për Serbinë, SHBA s’injorojnë rreshtimin…

Aktivisti dhe biznesmeni shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Harry Bajraktari, ka reaguar pas projektligjit të …