Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bajraktari mbështet fuqishëm nismën e dy kongresistëve amerikanë, si një hap i domosdoshëm i Kongresit të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit, llogaridhënies dhe paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
‘Ky projektligj dërgon gjithashtu një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta injorojnë rreshtimin e Serbisë me Rusinë, Kinën, Iranin dhe armiq të tjerë të Shteteve të Bashkuara’, shkruan Bajraktari.
Statusi
E mbështes fuqishëm dhe e mirëpres projektligjin dypartiak ‘SRBIJA Act’ të prezantuar nga kongresmenët Joe Wilson dhe Bill Keating.
Ky është një hap i domosdoshëm i Kongresit të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit, llogaridhënies dhe paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
‘SRBIJA Act’ është projektligj i rëndësishëm sepse synon të mbajë përgjegjës ata që kërcënojnë proceset demokratike, nxisin korrupsionin, shkelin të drejtat e njeriut dhe kërcënojnë paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ky projektligj dërgon gjithashtu një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta injorojnë rreshtimin e Serbisë me Rusinë, Kinën, Iranin dhe armiq të tjerë të Shteteve të Bashkuara.
Për shumë kohë, Serbia dhe Presidenti Aleksandar Vucic kanë qenë burim i destabilitetit në rajon me politika agresive ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe fqinjëve të tjerë, si dhe me politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes nënpërfaqësimit, pasivizimit të adresave dhe mohimit të të drejtave të barabarta.
Në reagimin tim në X u bëra thirrje kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë që ta çojnë përpara këtë projektligj, për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, demokracinë dhe prosperitetin e rajonit.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë amerikanët kudo që janë.
Gazeta RD