Po bëhet protesta si “Tokë e Xanun”

Nga Agim XHAFKA

Kam qenë disa herë në protestat e përnatshme kundër qeverisjes 35-vjeçare. Dhe ato ditë, kur njerëzit si lumi Amazona mbytën shëtitoren sa nga entuziazmi, thashë: me kaq shumë protestues do të duhet që ajo të zhvillohet me turne, dhe ditë më pas që u pakësua pjesëmarrja. Normal, me këtë vapë po shteren lumenjtë, jo më…

Por dje, sa u afrova te një grup të njohurish, dëgjoj pyetjen:

-Ti sikur shkruan te SYRI?

-Dhe? -ua ktheva me pyetje.

-Dhe e kupton ti.

Pra, që nuk isha i mirëpritur atje. E ndërkohë si për të vënë më në bezdisje ia nisën britmave:

-Rama në burg! Berisha në burg!

Doja të flisja, por më asociuan atë çast ca rreshta nga një lajm i moteve më parë. Kur po çonin në gjyq Musine Kokalarin. Kaq e etur qe turma për barbari, kaq urrejtje mbanin në gjoks sa në një copë rrugë, nga makina te salla e gjyqit, turma asaj ia shkuli gjysmat e flokëve. Thirrjet burg, burg dhe vështrimet e egra ndaj meje ma bënë më të pranishme atë mynxyrë të viteve që duhej të nxirrnim mësime të vyera.

Por nuk u largova nga protesta. Iu shkëputa grupit që më përbuzi. U afrova te plot të panjohur për mua. Në krah të tyre ndenja disa orë. Eca dhe eca duke dëgjuar, burg, burg, por dhe dorëheqje, dorëheqje. Më pas premtova që do të shkoj sërish. E di që askush nuk më le t’i afrohem mikrofonit, askush nuk më le të them mendimin tim, ama nuk do të hesht. Do të flas me shokët e miqtë e mi në protestë. Do t’u them që ta largojnë mllefin, së pari. Askund nuk i çon. Përveçse në pakësimin e pjesëmarrësve. Do t’i këshilloj që të heqin dorë nga etiketimet për dikë që dje apo pardje ka qenë në PD a në PS. Edhe Çërçilli ndërroi parti, se nuk donte të ndërronte bindjet.

Protesta ma ka bërë zemrën mal, por tani pas më shumë se 90 netësh ia vlen të ndërrojë strategji. Të ketë si kokë veç largimin e Ramës. Dhe të hapë krahët e të përqafojë këdo që afrohet. Pa kufizim, pa kushte, pa etiketime. Ndryshe një ditë mes shumë e shumë pankartave aq të gjetura e të mençura dikush do të mbajë në dorë parullën me germa të mëdha “Tokë e Xanun”.

About Redaksia

Check Also

Sfida e vërtetë e Ripërtëritjes së PD

Nga Ndriçim KULLA Partia Demokratike ka hyrë në një fazë në të cilën fjala ripërtëritje nuk …