Veprimtari i shquar shqiptaro-amerikan Ramiz TAFILAJ i dërgon një Letër Përshendetje dhe Mirëseardhje kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha me rastin e vizitës së Tij në Teksas-SHBA në fillim të shtatorit 2026
Nga Ramiz TAFILAJ
1 shtator 2026
I nderuari President Sali Berisha,
Lajmi për ardhjen Tuaj përsëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vendin që për ne shqiptarët ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të lirisë dhe demokracisë, më gëzoi sinqerisht dhe më preku në mënyrë të veçantë.
Pas gjithë asaj që keni kaluar, ardhja Juaj këtu me kokën lart, për mua dhe për shumë miq e bashkatdhetarë, ka një domethënie që shkon përtej një udhëtimi. Koha i vë njerëzit në sprova, por është po koha ajo që i jep secilit vendin e vet në histori.
President, pavarësisht dallimeve që politika sjell e do të sjellë gjithmonë, një gjë besoj se duhet të na bashkojë: Shqipëria, Kosova dhe interesi kombëtar shqiptar janë më të mëdha se çdo parti, mandat apo emër i përveçëm. Shqiptarët kanë nevojë për një vizion që e sheh Tiranën dhe Prishtinën si dy kryeqendra të një kombi, të lidhura fort me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike, dhe njëkohësisht si faktorë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Kosova e lirë dhe e pavarur është një nga arritjet më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Shqipëria e fortë, demokratike dhe euroatlantike është mbështetja e saj natyrore. Ndërsa një komb shqiptar i bashkuar rreth vlerave, gjuhës, kulturës dhe interesave të përbashkëta është pasuria që duhet t’ua lëmë brezave që vijnë.
Pres me padurim t’Ju takoj në Dallas, edhe pse rruga ime do të nisë nga Houstoni. Do t’u bashkohem me kënaqësi miqve dhe dashamirëve për t’Ju thënë nga afër: Mirë se erdhët, President!
Por, nëse koha dhe programi Juaj e lejojnë dhe udhëtimi nuk Ju ka lodhur shumë, do të ishte kënaqësi e veçantë t’Ju mirëprisja edhe në Houston, qoftë vetëm për një mbrëmje. Pa ceremoni e pa zhurmë – thjesht një darkë e qetë, mes miqsh, ku të mund të bisedojmë lirshëm për Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe të ardhmen e kombit tonë.
Mirë se vini në Amerikë, President Sali Berisha. Mirë se vini mes miqve.
Me miqësi, respekt dhe konsideratë të veçantë,
Ramiz TAFILAJ
Houston – Teksas, SHBA
/Marrë nga Gazeta e Alpeve




Gazeta RD