Udhëzues express për “Praninë Besnike”; Turi 60-minutësh i halleve!

Nga Lutfi DERVISHI

Ideja për të takuar popullin çdo të premte pasdite, për t’i mbajtur shënim hallet e pastaj për t’i “ndjekur” ato, është pa dyshim një gjest fisnik. Aferim!

Por, në kuadër të kursimit të energjisë, kohës dhe nervave, ka një mënyrë më efikase për ta realizuar porosinë e udhëheqjes për “Praninë Besnike” në terren.

Deputetët, ministrat, drejtorët dhe patronazhistët mund të kursejnë shumë duke ndjekur këtë itinerar 1-orësh në kryeqytet:

Ndalesa 1: Supermarketi
Këtu nuk ka nevojë të pyesin as shitësin, as blerësin, mjafton të shohin etiketat dhe me pas mund të hapin Google për të kuptuar se si ndodh që djathi, qumështi dhe mishi në Tiranë kushtojnë më shtrenjtë se në Paris, Berlin apo Londër.

Ndalesa 2: Pika e karburantit
Për këtë ndalesë nuk kanë nevojë as të zbresin nga makina, mjaft të shohin çmimin e naftës. Gjatë rrugës për te stacioni tjetër, mund të rreken t’i japin përgjigje pyetjes: si është e mundur që një vend që nxjerr naftë nga nëntoka e vet, e paguan atë sa frëngu pulën?

Ndalesa 3: Agjencia Imobiliare
Këtu mjaftojnë njoftimet te xhami. Pastaj shumë pak aritmetik: merret rroga e një të riu, zbritet qiraja e një hyrjeje modeste dhe rezultati krahasohet me koston e mbijetesës. Nëse keni edhe dy minuta kohë, mund të llogarisni se sa shekuj punë i duhen një çifti për të blerë një banesë. Dhe në fund, pyetja naive: Nëse ata që punojnë nuk i blejnë dot, për kë po derdhet gjithë ky beton?

Ndalesa 4: Këmbimorja
Edhe kjo nuk kërkon mundim. Exchange ka pothuajse në çdo rrugë. Edhe këtu nga xhami apo tabela elektronike të shohin kursin e Lekut ndaj Euros dhe Dollarit e të mahniten se si monedha e një ekonomie që jeton me turizëm e emigracion po tregon muskuj herkuli ndaj valutave botërore. Nëse ekspertët u thonë se kjo vjen nga “suksesi marramendës i ekonomisë sonë”, ndoshta duhet marrë ndonjë masë urgjente që të mos jemi kaq të suksesshëm.

Ndalesa 5: Një çift pensionistësh
Meqë e majta nuk fle natën nga brenga për pensionistët, këtu bëhet një përjashtim: le të zbresin e të flasin. T’i pyesin se si me pensionin përballojnë barnat, faturën e ujit dhe të dritave, ushqimin dhe kafene që për ta konsiderohet luks.

Ndalesa 6: Protesta në shesh
Këtu mund të ecin në këmbë, të ndalen pak minuta te njerëzit që protestojnë prej muajsh. Nuk ka nevojë as për ekspertizë, as për informacion nga shërbimet sekrete. Në vend që të pyesin “kush ju financon?” apo “kujt po i shërbeni? të provojnë pyetjen provokuese: pse nuk ikni në shtepi? Meqë porosia është që të takojnë qytetarë të pakënaqur këtu do të gjejnë sa të duan. I gjejnë jo vetëm të premteve, por edhe çdo ditë tjetër të javës. E njëjta adresë, i njëjti orar. Janë të përpiktë.

Ndalesa 7: Laprake
Këtu te stacioni e autobusëve për Gjermani mbyllet dhe turi 60 minutësh. Aty ia vlen të kapin një të ri me çantë në shpinë e ta pyesin thjesht: “Pse po ikën?” Nuk ka nevojë të mbajnë shënime në bllok apo celular. Po e dëgjuan përgjigjen e tij me vëmendje, do të kuptojnë në sekondë edhe supermarketin, edhe naftën, edhe euron, edhe banesat, edhe pensionet.
Dhe mbase kuptojnë edhe arsyen pse “Prania Besnike” po del çdo të premte në terren, ndërsa qytetarët po përpiqen çdo ditë të dalin nga vendi.

About Redaksia

Check Also

Fabula e re e Edi Ramës: Shqiptarëve pasqyrën, për vete milionat!

Nga Armand SHKULLAKU Qeverisja e vendit ka hyrë në një fazë terminale, ku kryeministri bën …