Dorëhiqet në bllok Këshilli Bashkiak i Poliçanit/ Thirrje 15 bashkive për protestë para Parlamentit

Banorët e Poliçanit kanë dalë sërish në protestë kundër reformës territoriale dhe planit për shkrirjen e Bashkisë Poliçan.

Protesta është zhvilluar në ditën kur ka nisur edhe propaganda e Ramës me takimet e deputetëve, ndërsa sipas protestuesve, në Poliçan nuk ka shkuar asnjë deputet për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.

Në shesh janë bashkuar banorë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, ndërsa 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak të Poliçanit kanë dhënë dorëheqjen unanime. Pas tyre ka dhënë dorëheqjen edhe lista pasardhëse.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Kula, tha se kundërshtimi nuk lidhet me godinën e bashkisë, por me institucionin dhe shërbimet që marrin qytetarët.

‘Ne nuk mbrojmë godinën, por mbrojmë institucionin. Këshilli Bashkiak, pasi zhvilloi takimet në njësitë administrative Vërtop, Tërpan dhe Poliçan, mori vendimin unanim të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë Poliçan’, deklaroi Kula.

Kula paralajmëroi edhe pasojat që, sipas saj, mund të sjellë reforma për banorët e zonës.

‘Jemi kundër një reforme që mund të sjellë dhe humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës në administrata, shërbime e fusha të tjera, sepse pas çdo vendi pune është një familje’, tha ajo.

Sipas kryetares së Këshillit Bashkiak, ndryshimi i strukturës administrative mund të ndikojë edhe në vlerën e pronave dhe në vazhdimin e zbrazjes së qytetit.

‘Pas çdo shërbimi është një qytetar dhe pas çdo familjeje që largohet është një tjetër hap drejt zbrazjes së qytetit dhe territorit’, u shpreh Kula.

Kula tha se banorët nuk do të tërhiqen nga kundërshtimi i reformës dhe paralajmëroi vijimin e protestave edhe përpara Parlamentit.

‘Ne nuk pranojmë që qyteti ynë të shkrihet. Nëse do të shkrini Bashkinë e Poliçanit, ne do të vijojmë protestat’, deklaroi ajo.

Ajo u bëri thirrje edhe bashkive të tjera që rrezikojnë të përfshihen në reformë që t’i bashkohen protestës.

‘I bëjmë thirrje të gjitha bashkive të cilat rrezikojnë, të na bashkohen në protestën tonë, që do vijojë përpara Parlamentit’, tha Kula.

Në fund, ajo iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar programit ‘Besa’ e cila u shpreh se, ‘besa është vota jonë, zoti Kryeministër, ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh’, përfundoi Kula.

About Redaksia

Check Also

Skandali i një shteti të inkriminuar/ Dy truproja të ministrit të Mbrojtjes në grupin sulmues të Vlorës

Skandali i përplasjes me armë të dy biznesmenëve të fuqishëm për tokat në Palasë merr …