Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e By-Pass-it të Himarës pasditen e të premtes, duke u përhapur me shpejtësi drejt zonave të banuara. Era e fortë ka favorizuar përparimin e flakëve, ndërsa situata është rënduar gjatë orëve të mbrëmjes.
Për shkak të përhapjes së flakëve, ka nisur evakuimi i banorëve nga zonat e rrezikuara. Paralelisht, janë larguar edhe turistë të akomoduar në hotelet pranë zonës së përfshirë nga zjarri, pasi flakët janë afruar ndjeshëm me strukturat turistike.
Situata është bërë edhe më kritike. Pamjet nga terreni tregojnë flakë me intensitet të lartë, ndërsa fronti i zjarrit është shtrirë në kodrat përreth qytetit dhe në disa pika është afruar pranë banesave.
Një qytetar ka kërkuar ndërhyrje nga ajri, duke deklaruar se banorët po largohen me shpejtësi nga Himara dhe se disa banesa janë rrethuar nga flakët.
“Kërkojmë ndërhyrje urgjentisht nga ajri sepse shikojmë disa shtëpi të rrethuara nga zjarri. Nuk po na japin sqarim nëse ka pasur njerëz brenda apo është djegur dikush. Zjarri po i afrohet qytetit. Ju lutem kërkojmë ndihmë se nuk kemi mundësi”, shprehet ai.
Gazeta RD