Deklaratë e Partisë Demokratike, Dega Fier
Rreth ores 10:00 të paradites së djeshme, 4 shtator, një vatër zjarri, që dyshohet të ketë qenë e qëllimshme, shpërtheu në zonën që banorët e njohin si “Ullishtet e Fermës”. E favorizuar nga era e fortë, flakët u përhapën me shpejtësi në drejtim të Drizës, Zhupanit dhe pyllit të Levanit.
Zjarri përfshiu një sipërfaqe prej qindra hektaresh, duke vënë në rrezik serioz banesa, biznese, ullishte, pemë frutore dhe pyje. Për fat të mirë nuk pati dëme të mëdha në banesa dhe biznese, por dëmet në bujqësi dhe mjedis janë të konsiderueshme dhe do të kërkojnë një vlerësim të plotë në terren.
Nga informacionet paraprake që kemi mbledhur, vetëm në zonën e Fermës janë djegur mbi 4.500 rrënjë ullinj, ndërsa dëmet totale, që përfshijnë mijëra hektarë ullishte dhe sipërfaqe pyjore, pritet të jenë shumë më të mëdha. Bilanci i plotë do të mund të përcaktohet vetëm pas përfundimit të vlerësimit në terren.
Ajo që është edhe më shqetësuese është mënyra e reagimit të strukturave përgjegjëse.
Sipas banorëve të zonës, pas shpërthimit të vatrës së parë, policia ishte ndër strukturat e para që mbërriti në mbështetje të banorëve, ndërsa mjetet zjarrfikëse u shfaqën rreth dy orë më vonë.
Edhe më alarmues është fakti se, sipas dëshmive të banorëve, punonjës të shërbimit zjarrfikës kanë shprehur shqetësimin se nuk dispononin ujë të mjaftueshëm për një ndërhyrje të menjëhershme dhe efikase
Kjo është e papranueshme!
Në një vend ku çdo verë përballemi me zjarre masive, emergjencat civile duhet të jenë të pajisura dhe të gatshme për të ndërhyrë në minutat e para. Propaganda nuk e zëvendëson ujin, mjetet zjarrfikëse dhe organizimin.
Më vonë, emergjencat civile u detyruan të ndërhyjnë nga ajri, pasi ndërhyrja nga toka ishte jashtëzakonisht e vështirë me kapacitetet dhe mjetet në dispozicion. Dy helikopterë kontribuuan në izolimin e një pjese të vatrave, por me rënien e mbrëmjes kushtet e vështira, tymi dhe hiri e bënë të pamundur vijimin e fluturimeve.
Partia Demokratike, Dega Fier, qëndron pranë banorëve të Radostinës, Levanit dhe të gjithë zonave të prekura nga zjarri.
Ne nuk jemi aty për të bërë politikë mbi fatkeqësinë e njerëzve. Jemi aty për të kërkuar përgjegjësi, transparencë dhe mbështetje konkrete për banorët e dëmtuar.
Por njëkohësisht duhet thënë qartë:
Propaganda nuk mjafton për të shuar zjarret.
Qeveria duhet të japë llogari për mënyrën se si janë menaxhuar fondet dhe kapacitetet e emergjencave civile. Kryeministri Edi Rama duhet të kuptojë se siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e pasurisë së tyre duhet të jenë përparësi, jo spektakli dhe propaganda.
Nuk mund të shpenzohen miliona për fasada, koncerte dhe spektakle, ndërkohë që kur digjen mijëra rrënjë ullinjsh, hektarë pyje dhe toka bujqësore, zjarrfikësit përballen me mungesë mjetesh dhe uji.
Kjo nuk është më çështje politike. Është çështje përgjegjësie shtetërore.
Sot kemi një dëm të madh ekonomik, bujqësor dhe mjedisor. Nesër mund të kemi humbje njerëzore. Dhe atëherë do të jetë tepër vonë.
I bëjmë thirrje Qeverisë dhe Bashkisë Fier
* të ngrenë menjëherë një grup pune për evidentimin e plotë të dëmeve;
* të bëjnë transparent bilancin e sipërfaqeve dhe pronave të dëmtuara;
* të evidentojnë çdo fermer dhe banor të prekur;
* të marrin masa konkrete për **dëmshpërblimin e banorëve;
* të hetojnë me seriozitet shkaqet e zjarrit dhe çdo përgjegjësi të mundshme;
* dhe të garantojnë kapacitetet e nevojshme për emergjencat civile në territorin e Bashkisë Fier.
Koha e propagandës duhet të marrë fund. Koha e përgjegjësisë duhet të fillojë tani.
Sepse kur digjet prona e qytetarit, nuk shuhet me propagandë.
Nesër mund të jetë shumë vonë.
Ardian Ferro
Kryetar i Partisë Demokratike – Dega Fier
Gazeta RD