Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë për media akuzoi qeverinë dhe mazhorancën për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se sistemi i drejtësisë është futur në kolaps.
Bardhi tha se, Këshilli i Ministrave nuk ka përmbushur detyrimin për të propozuar ligjin për pagat e magjistratëve, ndërsa kundërshtoi nismën e dy deputetëve për këtë çështje, duke e cilësuar në kundërshtim me standardet e Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se situata po cenon funksionimin e gjykatave dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësi.
Bardhi akuzoi gjithashtu Kuvendin se prej dy muajsh nuk po zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i njohur opozitës të drejtën për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 11 majit.
Deklarata për media
Ju uroj një sesion të ri të mbarë, sepse njëlloj si deputetët edhe ju jeni në punë edhe ju jeni në punë, prandaj ju uroj shumë mbarësi dhe suksese. Së dyti, në përfundim të mbledhjes së konferencës së kryetarëve, dua të ndaj me qytetarët dy shqetësime që u ngritën edhe gjatë mbledhjes, por që kanë edhe interes për shqiptarët. Së pari, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Është fakt tashmë që sistemi i drejtësisë në vend për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë është futur në kolaps, për shkak se gjyqtarë, prokurorë dhe administrata gjyqësore, për shkak të mosveprimit të Kuvendit për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese, kanë tashmë disa ditë që nuk arrijnë dot apo nuk kanë një bazë ligjore të mirëfilltë për të marrë pagat e tyre. Dhe kjo nënkupton cënim të drejtpërdrejtë të pavarësisë së sistemit gjyqësor.
Kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve të debatit diçka të pavërtetë, kemi dëgjuar kryeministrin që ka mbajtur qëndrimin e tij se kompetencën për të propozuar pagat e ka Këshilli i Ministrave dhe të drejtën për të miratuar pagat e ka Kuvendi i Shqipërisë. Dua të informoj atë që u bë me dije edhe gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve, që sot që flasim Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin e tij për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve. Ashtu siç ky Kuvend, që në prill të vitit 2026 në mbledhje të Këshillit të Legjislacionit, ka detyruar Këshillin e Ministrave që të hartojë propozimin dhe ta sjellë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga prilli kur është mbledhur Këshilli i Legjislacionit dhe dua të falënderoj kolegët që kanë qenë, kolegët e opozitës që kanë qenë në mbledhje, për shkak se Këshilli i Legjislacionit gjatë kësaj periudhe ka qenë i drejtuar nga opozita, që e kanë përmbushur në kohë përgjegjësinë e tyre për t’i kërkuar Këshillit të Ministrave që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nga prilli deri në 31 korrik kur ligji është shfuqizuar, Këshilli i Ministrave, pra kryeministri Rama nuk ka marrë asnjë masë.
Po, ka një projektligj të depozituar nga dy deputetë, por nuk është detyrë e deputetëve që të propozojnë pagat apo çështje që prekin buxhetin e shtetit në raport me një sistem tjetër. Kompetencën për të propozuar pagat e ka Këshilli i Ministrave dhe Këshilli i Ministrave do të duhet të kishte përmbushur këtë përgjegjësi të tij në raport me pushtetin gjyqësor. Gjë që nuk e ka bërë. Fondet buxhetore menaxhohen nga Këshilli i Ministrave dhe ka patur një vendim të Këshillit të Legjislacionit që kryetari i Kuvendit sot deklaroi që e ka përcjellë për ekzekutim pranë Këshillit të Ministrave, dhe sot që flasim ka zero përgjigje për këtë çështje nga Këshilli i Ministrave.
Së pari, ligji i propozuar nga dy deputetë, se këtu po dilja, është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk kanë as aftësinë për të përllogaritur pagat e sistemit gjyqësor dy kolegët që kanë propozuar ligjin, dhe me modesti e them, nuk kanë as kapacitetin për të interpretuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për zbatim ashtu siç Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar standardet, prandaj do të duhet të bashkëvepronte Këshilli i Ministrave me Kuvendin e Shqipërisë. Pagat e sistemit gjyqësor nuk janë çështje individuale si e lexon Gazment Bardhi apo dikush tjetër një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kërkojnë përgjegjshmëri sepse sot që flasim në njërën nga gjykatat e vendit, administrata nuk po ofron shërbime për qytetarët, dhe kjo është një çështje që e fut një nga tre shtyllat kryesore të sistemit shtetëror shqiptar, e fut në kolaps sistemin gjyqësor.
Të mos ofrojë shërbime sistemi gjyqësor ndaj qytetarëve, do të thotë që qytetarët të mos marrin drejtësi. Së dyti, kam ngritur shqetësimin sepse ky nuk është i vetmi vendim i Gjykatës Kushtetuese që nuk zbatohet apo nuk është zbatuar në kohë nga mazhoranca. Prej dy muajsh Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin që t’i njohë opozitës të drejtën për të ngritur komision hetimor mbi zgjedhjet e 11 majit. Një e drejtë e mohuar, ashtu siç ne kemi thënë prej 1 viti tashmë, e opozitës për ta ngritur këtë komision dhe Kuvendi refuzon ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dhe kryetari i Kuvendit nuk ka marrë asnjë masë për zbatimin e këtij vendimi. Dhe e kam bërë të qartë, e mbyllëm sesionin e shkuar parlamentar duke shkelur Kushtetutën, po e nisim sesionin e ri parlamentar duke shkelur Kushtetutën.
Pra Kushtetuta është bërë një dokument krejt pa vlerë, edhe pse është shtylla bazë e shtetit shqiptar, është bërë një dokument pa vlerë që shkelet sa herë interesi i Edi Ramës e dikton për ta shkelur. Së dyti, dua të informoj bashkëqytetarët mbi faktin se më në fund katër iniciativat e deputetëve të opozitës, që janë njëkohësisht edhe kërkesa të qytetarëve që protestojnë tashmë prej 101 ditësh në bulevard, janë futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe janë caktuar për t’u shqyrtuar, dy prej tyre në datën 17 shtator dhe dy të tjerat në datën 24 shtator. Dua të apeloj publikisht që komisionet që drejtohen nga mazhoranca dhe janë komisione përgjegjëse për shqyrtimin e këtyre projektligjeve, të mos shkelin vendimin e konferencës së kryetarëve dhe vendimin e seancës plenare për shqyrtimin e këtyre iniciativave dhe bërjen gati për shqyrtim të tyre në këto dy seanca.
Dhe së treti, më duhet ta them edhe këtë, kemi ngritur shqetësimin mbi mënyrën se si administrata e Kuvendit në rastin konkret ka vepruar me reformën territoriale. Si rregull, ligji kërkon që në momentin që një deputet apo Këshilli i Ministrave propozon një projektligj për një ndarje të re territoriale, do të duhet të përfshijë në relacionin shoqërues të projektligjit mendimet që kanë dhënë komunitetet. Pra mendimi i komuniteteve që vepron apo jeton në këto njësi vendore do të duhet të jetë pjesë e relacionit përpara se projektligji të depozitohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ka ndodhur e kundërta. Është depozituar projektligji në Kuvendin e Shqipërisë dhe pa u marrë në shqyrtim nga asnjë organ i Kuvendit, me firmën e sekretarit të përgjithshëm, ka nisur një proces konsultimi. Sekretari i përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë për të marrë veprime të tilla. Konsultime farsë dhe që nuk janë në interes të qytetarëve, por thjesht për të plotësuar një detyrim. Kishte një detyrim kryetari i Kuvendit, që atë projektligj, duke qenë se është depozituar në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, t’ia kthente mbrapsht propozuesve.
Së pari, unë kam mbajtur një qëndrim publik në raport me këtë çështje edhe si kryetar i grupit parlamentar. Audio-përgjimi i publikuar dje nga televizioni juaj dhe i vënë në dispozicion nga ish-krahu i djathtë i Edi Ramës, ish-zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë, propozuar dhe emëruar në atë detyrë nga partia në pushtet, ishin fakte tronditëse. Që nuk tregonin vetëm këtë që ju thoni për trafikun e armëve, që është një skandal i përmasave ndërkombëtare për shkak se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, implikonte aty një skemë të shmangies, po themi të vëmendjes se si do ia hidhnin edhe Ambasadës Amerikane në Tiranë, por aty tregoheshin se si ndahen apo si grabiten pasuritë e qytetarëve shqiptarë, pra pasuritë shtetërore, përmes skemave, ngritjes së kompanive fiktive, regjistrimit të kompanive fiktive, marrjes së bizneseve, të bizneseve që nuk kontrollohen nga qeveria, e kështu me radhë.
Që kështu besoj prokuroria nuk do të presë një kallëzim nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Për ne do ishte gjëja më e thjeshtë të depozitonim një kallëzim. Unë edhe si jurist në profesion, kam bindjen që Prokuroria e Posaçme dje në orën 23 kur ka mbaruar emisioni, do të duhej të ketë shkuar tek zyrat e televizionit për të marrë materialet e transmetuara dje dhe do të duhej të ketë nisur një hetim tashmë që flasim. Nëse kjo nuk ka ndodhur, do të thotë që prokuroria bëhet pjesë e kësaj skeme kriminale tejet të rëndë të trajtimit të shtetit si një plaçkë private. Që kështu, përpara se të më drejtoni mua pyetjen nëse do të bëni apo jo kallëzim, kjo është gjëja më e thjeshtë nga ana jonë për të bërë kallëzim, por zakonisht kallëzime nuk bëhen për fakte që janë publike sepse prokuroria do të duhet të nisë hetimet kryesisht, do të duhej mikrofonin tuaj t’ia vinit drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme nëse ka nisur procesin e verifikimit dhe hetimit mbi faktet e transmetuara dje në televizionin tuaj.
Sa i takon mekanizmave të kontrollit, ju garantoj në orën 16:00 do të mblidhet grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe ne do të aplikojmë çdo mekanizëm kontrolli që ka në dispozicion opozita sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Vota jonë është kundër sepse e ripërsëris, propozimi i paraqitur është në kundërshtim me standardet që ka vendosur vendimi, dy vendime tashmë, të Gjykatës Kushtetuese dhe ne nuk mund të votojmë një iniciativë që nuk e reflekton në formën e plotë të tij vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është hera e parë, keni parë dhe ligjin për komisionet hetimore, e miratuan gjoja për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ne iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese rikonstatoi që ligji nuk kishte reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E njëjtë është edhe rasti konkret.
Gazeta RD