Në Shtetin e Ronit!

Nga Irena BEQIRAJ

Audio përgjimi që dëgjuam dje, tregoi se korrupsioni i zakonshëm administrativ që thyen rregullat është tejkaluar, në shtetin aktual shqiptar, rregullat i rishkruan Roni.
Audio përgjimi tregoi se ne operojmë në “Shtetin e Ronit” ku menaxhimi i pronës publike riorganizohet në mënyrë të tillë që shfrytëzimi i saj të kanalizohet vetëm në duar e Ronit edhe sojit të tij, duke anashkaluar rregullat e transparencës edhe llogaridhënies.
Audio përgjimi i djeshëm ishte prova më e pastër sesi ligji përdoret si instrument nxitës i njëanshëm për transferimin e parave pa proçedura garuese, pa transparencë, e pa llogaridhënie, nga buxheti tek Roni, i cili haptazi thotë se është i panginjur edhe dëshiron të bëjë më shumë para.
Në “shtetin e Ronit”, i cili ka filluar të ngrihet që më 2018, shtrembërimi i proçedurave të prokurimit kryhet lehtësisht me anë të ndërmarrjeve shtetërore (NSH) të cilat përdoren si instrument për legjitimimin e korrupsionit. “Modeli Kayo” edhe rrjeti i kompanive të krijuara nën të, nuk është gjë tjetër veçse një variant i prefeksionuar i vjedhjes që filloi po me Ronin në 2018 me krijimin e AIR Albanias, sot të falimentuar. Modeli Kayo që po replikohet tek një tjetër kompani tregëtare e cila do të zotërojë milionat që menaxhonte AKSHI, apo tek kompania e barnave, janë shembuj ekselent të përdorimit të ndërmarrjeve shtetërore si tuba për të trasferuar prona dhe para publike pa proçedurë, pa tendera e pa garë, pa kontroll, nën kujdesin e Ramës tek soji i Ronit, të cilët e shuajnë etjen për para tek buxheti i shtetit më të varfër në Europë.
Në shtetin e Ronit, Roni qeveris, Rama administron, korrupsioni legjitimon, presioni blen heshtjen. Sa më shumë konsolidohet kjo mënyrë qeverisjeje aq më shumë dëmet janë të pakthyeshme. Besa, Pasqyrat, e Prania Besnike janë thjesht manovra për të maskuar dhimbjet e degradimit.
Për dhëmbët me faceta të Ronit, shteti lipset t’i dorëzohet arrë e qëruar. Për këtë nevojitet Ermal Nufi, i cili ka ambicje që nga zëvendës sekretar në Kryeministri të bëhet ministër. Ermali e di mirë që Rama promovon vetëm ata që qërojnë dardha, kumbulla e arra për të edhe për Ronin, ndaj për të kënaqur ambicjen nuk heziton të shërbejë duke bërë skeletet e nevojshme në dollap.
Por as ai i vetëm nuk mjafton. Që shteti të drejtohet si kompani private e Ronit me administrator Kryeministrin, duhen që në Kuvend partia socialiste të çojë mercenarë, të gatshëm të çertifikojnë çdo ditë ligjet që i shërbejnë vetëm Ronit. Ndaj me kujdes zgjidhen njërëz, që nevoja, ambicja, a ligësia i ka zhveshur nga skrupujt, edhe janë të gatshëm ti ofrojnë opinionin publik kornizën ideologjike që justifikon përdorimin e institucioneve shtetërore për t’i shërbyer interesave të ngushta të Ronit.
Por që Roni jo vetëm të pasurohet, por të duket i zoti edhe i mençur nuk mjafton Taulanti, Ulsiu, Zeqineja, Sara, Zamira, apo edhe Bajram Bega, nevojitet edhe përfshirja e avokatëve, ekspertëve që hartojnë legjislacione ose transaksione që favorizojnë transferimin e burimeve publike në duar e Ronit.
Me pjesëmarrjen aktive të një armate shpirtshitur, shqiptarët e gjejnë veten duke jetuar në një shtet që duket si demokraci në letër, por në realitet funksionon si kartel.
Ky është shteti i Ronit që administrohet nga Kryeministri!

Audioja e Ahmetajt ‘trazon’ shëndetësinë, Noka: Rama po përsërit modelin KAYO

About Redaksia

Check Also

100 ditë protestë qytetare dhe paqësore!

Nga Bujar Leskaj Sot mbushen 100 ditë të protestës qytetare më të gjatë dhe më …