Ballukut i shtohen akuzat, Bardhi: Sa vila të tjera duhen zbuluar që t’i hiqet imuniteti?

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ashpërsuar tonet ndaj SPAK-ut pas shtimit të akuzave ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në një reagim, Bardhi ngre pikëpyetje mbi faktin që, pavarësisht rëndimit të pozitës penale të Ballukut, Prokuroria e Posaçme nuk i është drejtuar ende Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit.

Sipas Bardhit, Ballukut i janë shtuar tre akuza të reja: korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, fshehje ose mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim i produkteve të veprës penale në rrethana cilësuese.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMEMTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj?

Sot, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar përsëri. SPAK e ka marrë të pandehur edhe për 3 akuza të reja:

  1. Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
    2. Fshehje ose mosdeklarim të pasurisë.
    3. Pastrim të produkteve të veprës penale, në rrethana cilësuese.

Të treja këto i shtohen akuzës së mëparshme:

  1. Për shkelje të barazisë në tendera, që përfshin 8 procedura tenderimi.

Siç kisha paralajmëruar shumë muaj më parë, SPAK, më në fund, e gjeti edhe vilën e dytë dhe gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e vilës në Palasë, të cilën Belinda Balluku ia ka marrë Arbër Abazit të Aeroportit të Vlorës dhe, njësoj si vilën nr.1, e ka vënë sërish në emrin e Igli Tares.

Media ka raportuar se janë 300 vila të tilla, në çdo resort të ndërtuar në vend. Do të duhet që të zbulohen të 300-a përpara se SPAK-u të zbatojë ligjin dhe të respektojë standardin e deklaruar dhe të zbatuar dhjetorin e kaluar nga vetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme? Zoti Braho ka deklaruar në Kuvend se, “kur rëndohet pozita penale e një të pandehuri, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit ndaj tij.”

Bashkë me këtë të sotmen, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar jo 1 herë, por 4 herë, me akuzat më të rënda penale që një zyrtar mund të ketë në lidhje me veprat e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Atëherë, pse nuk i drejtohet SPAK Kuvendit për heqjen e imunitetit?

Peshorja e drejtësisë nuk duhet të anojë më nga interesi politik i Edi Ramës! Çdo ditë vonesë është përpjekje për të lehtësuar pozitën e Belinda Ballukut dhe për të mbrojtur korrupsionin e saj dhe të Edi Ramës.

About Redaksia

Check Also

Deklarata e fortë e Berishës nga SHBA/ Koha e narkoshtetit po merr fund! Shqipëria dhe SHBA do të triumfojnë së bashku!

“Nga toka e lirisë e shpall me besim: Koha e narkoshtetit po merr fund! Shqipëria …