Keqtrajtimi i Ilir Metës, KShH i kërkon llogari paraburgimit 313

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i është drejtuar zyrtarisht IEVP “Jordan Misja”, duke kërkuar sqarime lidhur me pretendimet e ngritura publikisht për mënyrën e trajtimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në paraburgim.

Në shkresën drejtuar institucionit, KShH bën me dije se ka ndjekur deklaratat e Ilir Metës dhe Tedi Blushit, të cilët kanë pretenduar se Metës i është kufizuar mundësia për të zhvilluar takime me deputetë.

Sipas KShH-së, gjatë monitorimit të mëparshëm ishin evidentuar shqetësime lidhur me kufizimin e takimeve të personave të paraburgosur me deputetë. Organizata vlerëson se një praktikë e tillë mund të cenojë të drejtat e garantuara nga legjislacioni në fuqi.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon informacion lidhur me situatën aktuale dhe mënyrën se si po zbatohen të drejtat e personave të paraburgosur për takime me deputetë.

“KShH dëshiron të rikujtojë se kjo çështje është trajtuar edhe më herët në kuadër të monitorimit të kryer në IEVP “Jordan Misja”, si dhe në rekomandimet e adresuara institucionit tuaj nëpërmjet shkresës nr. 151 prot., datë 27.04.2026, ku ndër të tjera është vlerësuar se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë, ngre shqetësime serioze në raport me respektimin e të drejtave të garantuara nga ligji, veçanërisht nga neni 51 i ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Në vijim të këtij procesi monitorimi dhe korrespondencës institucionale, KShH ka konstatuar se kishte një impakt pozitiv në praktikën e ndjekur nga institucioni”, theksohet në letër.

 

 

About Redaksia

Check Also

Bardhi pret në zyrë të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë

E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy Van Horn, ka zhvilluar …