Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Dallas një takim me kongresmenin amerikan Joe Wilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit të SHBA-së. Në takim ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Sipas Berishës, diskutimet u përqendruan te trafiku i drogës dhe kartelet, korrupsioni qeveritar dhe ndikimi i tyre në zgjedhje, si dhe te gjendja e demokracisë dhe të drejtave të opozitës në Shqipëri.
Berisha akuzoi qeverinë Rama për përdorimin e administratës dhe institucioneve në funksion të pushtetit, ndërsa theksoi se lufta kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar ishte një nga çështjet kryesore të takimit.
Kush është Joe Wilson
Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka propozuar një ligj i cili kërkon hetim nga ana e strukturave të inteligjencës amerikane, mbi lidhjet dhe lehtësimin që qeveria Rama i ka bërë trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Nëpërmjet një amendamenti të depozituar në muajin korrik në Kongresin Amerikan, Wilson ka kërkuar vënien në lëvizje të agjencive ligjzbatuese, ndërsa propozimi i tij ka kaluar tashmë komisionin e rregulloreve dhe komisionin e ligjeve në SHBA, pritet miratimi i ligjit në seancë plenare në Kongres.
“Jo më vonë se 180 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Sekretari i Shtetit në koordinim me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, do tu paraqesë komiteteve përkatëse të Kongresit një raport të klasifikuar, të përgatitur në përputhje me mbrojtjen e burimeve dhe metodave të inteligjencës i cili shqyrton:
-shkallën e narkotrafikut në Shqipëri
-rolin e qeverisë së Shqipërisë në lehtësimin ose mundësimin e këtij narkotrafiku”, – shkruan amendamenti.
Reagimi i plotë
Takim me Kongresmenin Joe Wilson, kryetar i Komisionit te Helsinkit të kongresit të SHBA:
Diskutuam, mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsës zgjedhore nevoja për qeveri teknike në Shqipëri dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me kryetarin e Komisionit të Helsinikit të Kongresit të SHBA. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsionin galopant qeveritar dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në shndërrimin e zgjedhjeve në farsë zgjedhore.
Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim.
Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës janë një shpresë për shqiptaret. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.
E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se të drejtat e opozitës në Parlament shkelen dhe nuk respektohen.
Kryeministri kontrollon plotësisht drejtësinë dhe e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heq imunitetin zv/kryeministres Balluku duke i bllokuar kështu haptas drejtesinë dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë takim e falenderuam Kongresmenin Joe Wilson për interesin e tij për gjendjen në Shqipëri dhe qëndrimet e tij të lidhura me zhvillimet në rajon!

Gazeta RD