Nga Boldnews.al
Ndërsa ende nuk ke uruar ekipin olimpik Team Albania për gjashtë medaljet e fituara në Taranto, shkruan dhe xhiron video me postime dhe justifikime për një aktivitet që ka dështuar?
E ke seriozisht, Gonxhe? Ke kaluar kaq shumë orë në Instagram për të justifikuar një dështim që tashmë e ka parë gjithë bota? Kujt po i justifikohesh? Ramës apo postimeve që nxjerr “Jeta Osh Qef”? Po i justifikohesh publikut apo vetes?
I dhimbshëm është fakti se kjo që po bën nuk është një komunikim institucional serioz, por është një panik komunikimi.
Pra ministri ka mjaftueshëm kohë të përgatisë postime instagrami dhe nuk ka kohë të kontrollojë ministrinë që drejton.
Mendoj se këtu fillon problemi i vërtetë; kush po të mashtron Gonxhe?
Që ti nuk di gjithcka në sport është dukshme, por nuk është as e nevojshme, sepse këtë punë ke staf, drejtorë, këshilltarë, ke dhe zëvendësministër.
I vetmi detyrim që ke ti është ti kontrollosh ata nëse e bëjnë punën sic duhet, ose më e thjeshtë Akoma, nëse të thonë të vertetën.
Dhe zgjidhjen e kësaj pune ti nuk e bën me pyetjen pse po sulmohet ministria? Pyetje e duhur është cfarë po më tregojnë vartësit e mi(zëvendësministri dhe drejtori i sportit) dhe a janë këto të vërteta?
Nëse vartësit e tu të sjellin një realitet të filtruar, ku dështimi paraqitet si sukses, një konflikt paraqitet si një normalitet dhe të bindin ty se gjithçka është në rregull, atëherë i dashur problemi nuk është vartësi. Problemi në këtë rast bëhesh ti. Sepse titullari je ti.
Dhe në këto muajt e verës i dashur ministër ti nuk ke folur asnjë moment për sportin, vizionin dhe përmirësimin e tij, ti vetëm ke justifikuar dështimet, mashtrimet dhe ndoshta(këtë do ta zbulojmë më poshtë)edhe vjedhjet e tij.
Po le të flasim për një vjedhje dhe kjo ka të bëjë me buxhetin e sportit. Dhe këtu nuk mjaftojnë postimet, por këtu duhen dokumenta.
Çfarë është aktiviteti për të cilin janë dhënë rreth 170 milionë lekë? Kush e ka propozuar këtë aktivietet? Kush e ka vlerësuar? Kush e ka miratuar dhe kush ka firmosur për të? Cilat kanë qenë kriteret dhe kush ka përfituar? Sa ka paguar shteti? A ka pasur tarifa pjesëmarrjeje dhe sa kanë paguar pjesëmarrësit? Kush i ka mbledhur dhe ku kanë shkuar? Dhe e fundit, por më e rëndësishmja: çfarë përfitoi sporti shqiptar nga ky aktivitet?
Nëse pretendimi është se kemi financuar një aktivitet që duhej të promovonte sportin dhe Shqipërinë, atëherë rezultati duhet të jetë i matshëm. Mjafton të na thuash sa sportistë shqiptarë u përfshinë? Sa federata dhe sa aktivitete ishin? Cili ishte impakti në turizëm dhe promovim ndërkombëtar? Si u pasqyrua në media? Vetëm mos nxirr përsëri videot që ka xhiruar stafi yt nëpër konvikte se do turpërohesh 2 herë.
Cilado qoftë shuma, nuk janë para xhepi, janë para pubuike, që kërkojnë transparencë.
Ke dëshirë të ndihmojmë të vazhdojmë më tej? Si është e mundur që sporti universitar merr më shumë buxhet se një federatë elitare, madje merr më shumë dhe se Komiteti Olimpik për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, ku prezantohet flamuri dhe lëshohet himni kombëtar? Aktiviteti ishte për sportet luftarake, ku bën pjesë dhe taekuondo, ku zëvendësministri yt është drejtues në hije i federates(të lutem kontrollo pak sa aktivitete bëhen çdo vit me para e buxhetit të ministrisë specifikisht vetëm për këtë federatë), cila është lidhja e tij me Besnik Veliun? A ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë për fondet? A ka pasur ndërhyrje? A ka pasur konflikt interesi? A ka ndikuar kjo marrëdhënie në mënyrën se si janë marrë vendimet apo janë shpërndarë fondet?
Nëse gjithçka është e pastër, transparenca është mbrojtja më e mirë.
Vetëm mos kërko që njerëzit e sportit të besojnë verbërisht, sepse shumë zhgënjime u ke krijuar.
I dashur ministër, ka ardhur koha të shikosh pak më shumë xhepat e tu, se kanë filluar të të vjedhin dhe astarët. Mos harxho kohë me kundërpërgjigje dhe postime të sajuara se është në dëmin tënd, se vendos fytyrën dhe dinjitetin. Bëj një kontroll të thjeshtë, shko te dosjet, kontratat, fondet. Nëse nuk ke aq shumë kohë, ndiq vetëm pyetjet e mësipërme dhe do të zbulosh të vërtetën, pa patur fare nëvojë të kuptosh sportin.
Ky është një problem shumë më I madh se ky aktivitet. Ky është një problem që kalon postin e zëvendësministrit, është drejtëpërdrejtë pozicioni yt.
Nëse ai ka gabuar, përgjegjësia politike është e jotja.
Nëse ai ka fshehur informacion, përgjegjësia politike është e jotja.
Nëse ai ka favorizuar dikë, përgjegjësia politike është e jotja.
Nëse ai ka bërë një gabim, përgjegjësia politike është e jotja.
Dhe këtu ndahet një ministër që drejton nga një ministër që thjesht komunikon. Këtu është në lojë dhe reputacioni i Kryeministrit, të cilit padyshim i ka rënë në dorë ky shkrim.
Po sporti? Besoj se e kupton dhe vetë që nuk ka më vend për sportin, pasi jemi marr me pisllëkun që ti e ke lënë të mblidhet kapicë në pragun e shtëpisë tëndë.
Ndaj mos pyet më lart e poshtë kush po më sulmon? Pyet më mirë vetën, kush po më tregon të vërtetën? Dhe sidomos: Kush po më përdor?
Ka dhe një pytje që duhet t’ja bësh Ramës nëse të dëgjon akoma: Edi, çfarë po ndodh realisht me sportin? Por jo në raportin që të sjell zëvendësminstri, jo versionin e instagramit, por realitetin. Sepse kryeministri mund të falë një gabim. Dhe një dështim apo një projekt që nuk funksionoi. Por nuk mund të mbulojë pafund një mashtrim institucional që vartësit e tu prodhojnë çdo ditë dhe përdorin fytyrën tënde për ta shitur.
Dhe në fund një fjali që do të ishte më mirë për kryeminstrin, a nuk ka ardhur koha që sportin të mos e lësh më prapashtesë në emërtesat e ministrive, duke e dorovitur sa andej këndej? A ka mundësi të gjesh një djalë ose vajzë të mençur, që të dijë të flasë bukur, pa mllefe, inate dhe interesa personale, të zhveshur politikisht nga kostumi patronazhistit, që ta dojë pak sportin dhe të mos jetë hajdut?
Bëje për sportin, bëje për Shqipërinë, bëje dhe për vete…
Gazeta RD