Bardhi: SPAK po hesht për rëndimin e masës ndaj Ballukut, pse po i jep kohë Ramës?

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka vijuar për të pestën ditë radhazi të kërkojë shpjegime nga SPAK lidhur me situatën penale të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bardhi ngre shqetësimin se, edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga njoftimi i SPAK për marrjen e Ballukut të pandehur edhe për tre akuza të reja, në Kuvend nuk ka mbërritur një kërkesë e re për heqjen e imunitetit të saj, me qëllim arrestimin.

Sipas Bardhit, ndaj Ballukut rëndojnë tashmë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Këto, sipas tij, i janë shtuar akuzës së mëparshme për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me tetë procedura prokurimi me vlerë totale 1.2 miliardë euro.

Bardhi i drejton SPAK-ut dy pyetje të drejtpërdrejta, duke e akuzuar institucionin se po bëhet pjesë e një loje politike dhe se po i krijon hapësirë kryeministrit Edi Rama për manovra politike.

Reagimi

DITA 5

Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.

Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.

Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.

Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?

Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?

About Redaksia

Check Also

Berisha: Gjatë qeverisjes tonë Shqipëria doli e 4-rta në botë për konvertimin e rritjes ekonomike në mirëqenie

‘Shqipëria u rendit e katërta në botë për konvertimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për …