Partia Demokratike i kërkoi Kuvendit të ndryshojë rendin e ditës të hiqet ligji që lidhet me statusin dhe pagat e magjistratëve dhe të vijojnë konsultimet me sistemin e drejtësisë.
Nga foltorja e Kuvendit kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën se po mban nën presion gjyqtarët dhe prokurorët duke u tallur me trajtimin e tyre financiar.
Bardhi tha se pr/ligji i mbërritur në Kuvend është një version i ri i pakonsultuar me asnjë nga shoqata e magjistratëve apo organet e drejtësisë. Madje dhe anëtarët e Komisionit të Ligjeve e kanë miratuar pa ditur çfarë kanë miratuar.
“Komisioni i Ligjeve miratoi një version krejt të ndryshëm nga ai që kishin propozuar në korrik 2 kolegë të maxhorancës. Një version që nuk është konsultuar me askënd. Madje dhe anëtarëve të komisionit të ligjeve që e kanë miratuar i është vënë në dispozicion duke ia ndryshuar 3 herë pa e kuptuar se çfarë e miratonin.
E gjithë kjo e vendos para përgjegjësisë kuvendin e Shqipërisë për ta tërhequr këtë pr/ligj sepse rrezikoni të shkelni përsëri Kushtetutën. Të marrim kohën e mjaftueshme për të diskutuar me organet e drejtësisë dhe shoqatave të magjistratëve e kuvendi të marrë një vendim për ti dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj problematike.
Është e paimagjinueshme që sistemi i drejtësisë në vend të jetë nën presionin e maxhorancës për 7 vite në raport me një garanci themelore, sic është trajtimi financiar. Nuk mund të tallemi me trajtimin financiar të gjyqtarëve e prokurorëve nëse duam të bëjnë drejtësi në këtë vend.”
Në emër të PS, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla tha se ishte kundër ndryshimit të rendit të ditës.
Më pas kërkesa e PD-së u hodh në votim dhe u rrëzua. Me 36 vota pro dhe 79 kundër dhe pr/ligji nuk u hoq nga rendi i ditës.
Gazeta RD