Bardhi-Ramës: Po hakmerresh ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve se të trokitën në derë për aferat ku je zhytur

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka replikuar ashpër në Kuvend me kryeministrin Edi Rama për ligjin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e akuzuar se ka projektuar një shtet privat.

Bardhi i kujtoi Ramës se, në vitin 2016, ai thoshte me mburrje se gjyqtarët dhe prokurorët do t’i kishin pagat më të larta se të tijat, pasi reformën në drejtësi e kishte projektuar si kamzhik kundër opozitës.

Por sot, tha Bardhi, kur gjyqtarët dhe prokurorët i kanë trokitur në derë për çështje të mëdha korruptive, kryeministri po hakmerret duke mos u dhënë pagat.

“Edi Rama e koncepton shtetin si shtet privat. Ti nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse vendimet e saj i trajton sikur të jenë pjesë e humorit tënd. Po nuk të pëlqyen, nuk i zbaton.

Në vitin 2016 ishe entuziast që gjyqtarët dhe prokurorët ta kishin pagën sa më të lartë, sepse e projektoje reformën e drejtësisë si kamxhik ndaj opozitës. Por, sapo prokurorët dhe gjyqtarët të trokitën në derë, fillimisht te Belinda dhe, me shumë gjasa, shumë shpejt edhe te ti, the: Prit! Si e bëra unë gabimin t’i trajtoj ata me pagë më të lartë se timen?

Si mund të ndodhë që gjyqtarët dhe prokurorët, të cilëve me bujarinë tënde në vitin 2016 u rritën pagat ndjeshëm, guxojnë të trokasin në Kuvend pa lejen time për të kërkuar heqjen e mandatit të zëvendëses sime? Si mundet që gjyqtarët dhe prokurorët të pezullojnë zëvendësen time? Unë jua kam në dorë pagat! Unë jua rrita, unë jua ula!

Atëherë ishe shumë entuziast, sepse mendove se reformën në drejtësi po e bëje vetëm për të goditur opozitën. Nuk mendove se nuk do ta kontrolloje dot, sepse për ty është e paimagjinueshme të mos kontrollosh gjithçka.

Je mësuar të kontrollosh çdo tender në Republikën e Shqipërisë. Fole ti për shtetbërje! Me kë do ta ndërtosh shtetin ti? Me Ron Yefetin, që flet në emër të gjithë shtetit, edhe pse është një shtetas i huaj anonim? E vetmja lidhje është se ndan paratë me ty”, tha Bardhi.

About Redaksia

Check Also

Kush fitoi në Londër? Ja e vërteta e arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës

Nga Klodian TOMORRI Dy ditë më parë ‘Kapitali’ publikoi lajmin se Gjykata e Arbitrazhit në …