Marrë shkas nga situata alarmante me kontratat publike dhe koncesionet, grupi parlamentar i PD-së propozon një paketë ligjore, me synim gjurmimin, kontrollin, vlerësimin dhe dhënien e rekomandimeve apo masave për përdorimin e çdo fondi publik apo pasurie publike.
Nisma u prezantua nga nënkryetari i komisionit të Ekononisë, deputeti demokrat, Enno Bozdo dhe deputeti Ivi Kaso.
Në një deklaratë për median nga selia e Kuvendit, Enno Bozdo deklaroi se “Në 5 vitet e fundit, qeveria e Edi Ramës ka shënuar rekorde negative të padëgjuara për sa i përket korrupsionit, grabitjes së fondeve publike dhe pasurive publike”
Deputeti demokrat Ivi Kaso theksoi se ‘sot kuadri ligjor nuk garanton transparencë për pronat dhe paratë publike që kalojnë me kontrata te privati”
Nisma ka të bëjë me amendimin e tre ligjeve:
1. Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”
2. Ligjin “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, si dhe,
3. Ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”
PD thekson se kjo paketë ligjore ndërton një ekuilibër demokratik dhe perëndimor: kontroll i hekurt dhe i pakompromis mbi paranë e taksapaguesve, krahas mbrojtjes së plotë të lirisë ekonomike dhe të drejtave të sipërmarrjes private.
Deklarata e plote
Të nderuar qytetarë,
Sot jemi përpara jush, për të prezantuar nismën ligjore të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, nismë e cila do të mundësojë në mënyrë përfundimtare dhe pa asnjë ekuivok, gjurmimin, kontrollin, vlerësimin dhe dhënien e rekomandimeve apo masave për përdorimin e çdo fondi publik apo pasurie publike, në cilëndo formë dhe në cilëndo mënyrë që ato përdoren apo shfrytëzohen nga privati.
Me pak fjalë, sot ne sapo kemi depozituar zyrtarisht në Kuvend, një iniciativë ligjore që amendon tre ligje:
1. Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”
2. Ligjin “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, si dhe,
3. Ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”
Në 5 vitet e fundit, qeveria e Edi Ramës ka shënuar rekorde negative të padëgjuara për sa i përket korrupsionit, grabitjes së fondeve publike dhe pasurive publike. Kjo maxhorancë ka miratuar pafund ligje speciale, ka ngritur agjenci që menaxhojnë pasuritë më të mira publike të shqiptarëve, kompani guackë që financohen veç nga buxheti i shtetit, të gjitha këto në forma juridike me qëllim të vetëm cementimin e një mburoje ligjore të padepërtueshme, pas të cilave fshihen, në emër të kontratave dhe shoqërive tregtare private, miq të ngushtë të kryeministrit dhe kontribuues të partisë në pushtet.
Rastet janë pa fund: duke filluar që nga ligjet speciale siç ishte Ligji Fusha, te ngritja e Korporatës së Investimeve Strategjike e cila menaxhon çdo pronë me vlerë publike, te kompania e AKSHI-t, që do të menaxhojë pa garë dhe pa asnjë llogaridhënie të paktën 200 milionë euro në vit shërbime për TI, te kompania KAYO që nëpërmjet 5 bijave të veta do të marrë çdo vit qindra milionë euro, por pa iu nënshtruar asnjë auditimi apo kontrolli publik, e deri te iniciativa e fundit për KAYO-Bis, ndërmarrjen shtetërore që do të kontrollojë të gjitha blerjet në sektorin e shëndetësisë. E sigurisht këtu mund të përmendim kompanitë shtetërore të sapokrijuara për menaxhimin e pyjeve, në sektorin bankar, pra, në të gjithë sektorët e ekonomisë ku transferohen qindra milionë euro para publike dhe ku nuk mund sot as të kërkosh informacion sepse askush nuk përgjigjet, e jo më të kërkosh llogari apo të auditosh se ku realisht shkojnë këto para, si përdoren dhe cili i përfiton.
Përballë kësaj situate të paprecedentë të grabitjes së organizuar të parasë dhe pronës publike, ne vijmë sot me nismën ligjore përkatëse, e cila i jep një përgjigje të drejtpërdrejtë këtyre shqetësimeve, duke propozuar një model që vende të rëndësishme evropiane, shumë herë më të zhvilluara se ne, e kanë adoptuar më kohë.
Për më tepër, kolegu im, zt. Kaso, do t’ju shpjegojë këtë iniciativë më konkretisht:
1. Çfarë synojnë tri projektligjet?
Problemi që këto projektligje trajtojnë dhe zgjidhin është real, akut dhe me ndikim të drejtpërdrejtë mbi financat publike. Sot, një masë e konsiderueshme e fondeve shtetërore – përfshirë grantet, subvencionet, injektimet e kapitalit, mbështetjet financiare ose pasuritë publike të vëna në dispozicion – menaxhohen dhe administrohen nga shoqëri tregtare të zakonshme, ndërmarrje private apo individë.
Kuadri aktual ligjor vuan nga një boshllëk: sapo paratë apo pronat publike kalojnë te një subjekt privat, shpesh humbet gjurmueshmëria e tyre, duke bërë të pamundur informacionin se çfarë realisht ndodh me paratë dhe asetet publike që iu janë vënë në dispozicion privatëve dhe, mbi të gjitha, se kush i përfiton ato realisht!
Parimi Themelor i Reformës: “Kontroll i synuar i burimit publik, dhe jo kontroll i përgjithshëm i personit privat.” Në përputhje me standardin kushtetues, auditimi ndjek paranë dhe pasurinë publike sipas natyrës, burimit dhe destinacionit të tyre, pa e shndërruar subjektin privat në subjekt të auditimit të përgjithshëm.
2. Cilat janë ndërhyrjet ligjore dhe logjika e tyre?
Reforma realizohet përmes një ndërhyrjeje të harmonizuar në tre nivele plotësuese të legjislacionit kombëtar:
A. Ndryshimet në Ligjin nr. 154/2014 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” (Ligji Organik):
• Baza e auditimit: Përcaktohet qartë kompetenca ligjore e KLSH-së për të kontrolluar destinacionin, përdorimin, administrimin dhe mbrojtjen e financimit publik të destinuar dhe pasurive publike te personat privatë.
• Shtrirja e kontrollit: Për të parandaluar evazionin përmes skemave zinxhir, kontrolli shtrihet në mënyrë të arsyetuar edhe te shoqëritë e kontrolluara, nënkontraktorët dhe përfituesit e mëtejshëm, por rreptësisht vetëm për pjesën e fondit publik të transferuar.
• Garanci rigoroze ligjore: Kufizohet rreptësisht objekti i auditimit (KLSH nuk jep vlerësime mbi veprimtarinë private të pafinancuar nga shteti), mbrohet sekreti tregtar dhe garantohet e drejta e subjektit privat për rishikim administrativ (brenda 5 ditëve pune) dhe ankim gjyqësor në rast tejkalimi.
B. Ndryshimet në Ligjin nr. 10296/2010 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”:
• Infrastruktura kontabël: Detyron çdo subjekt privat përfitues të mbajë evidencë kontabël të veçantë ose qartësisht të identifikueshme, duke dokumentuar burimin, destinacionin, përdorimin faktik, aktivet e blera dhe alokimin e kostove të përbashkëta.
• Regjistri Elektronik Publik: Çdo institucion shtetëror ngarkohet të krijojë dhe mirëmbajë një regjistër elektronik publik për të gjitha financimet dhe asetet e dhëna te privati, duke i transmetuar të dhënat periodikisht te KLSH dhe Ministria e Financave.
C. Ndryshimet në Ligjin nr. 9901/2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”:
• Norma teknike koordinuese: Sanksionohet rregulli që shoqëritë tregtare sigurojnë evidentimin e veçantë dhe të gjurmueshëm të fondeve apo pasurive publike, të dallueshme nga burimet private.
• Ruajtja e autonomisë: Ky rregull zbatohet pa ndërhyrë në statutet e shoqërive, pa prekur raportet mes ortakëve apo aksionarëve dhe pa krijuar kosto apo pengesa artificiale për biznesin.
Logjika e ndërhyrjes: Nëse burimet publike mbahen qartësisht të evidentuara që në momentin e lëvrimit, KLSH nuk ka pse të kërkojë akses në llogaritë private të subjektit. Kjo ul kostot, shkurton kohën e kontrollit dhe garanton paprekshmërinë e biznesit privat.
4. ÇFARË SYNOHET ME KËTO NDËRHYRJE:
• Gjurmueshmëri e plotë dhe parandalimi i korrupsionit
Paraja publike gjurmohet hap pas hapi deri te përfituesi fundor dhe nënkontraktori. Dokumentimi i detyrueshëm parandalon shpërdorimin që në zanafillë të fondeve publike.
• Zbatimi i standardeve kushtetuese
Vendosen barriera të forta kundër arbitraritetit shtetëror, duke ndarë qartë kontrollin e fondit publik nga kontrolli i subjektit privat.
• Transparencë e hapur për qytetarët
Krijimi i Regjistrit Elektronik Publik i jep mundësi qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile të njihen me transparencë mbi çdo kontratë, grant, subvencion apo pasuri shtetërore të vënë në dispozicion të privatëve.
• Siguri juridike dhe mbrojtje për biznesin
Sipërmarrja e ndershme çlirohet nga pasiguria. Biznesi e di saktësisht çfarë duhet të evidentojë, ndërsa sekretet tregtare, llogaritë vetjake dhe autonomia korporative garantohen me mekanizma të posaçëm ligjorë.
Në përfundim, kjo paketë ligjore ndërton një ekuilibër demokratik dhe perëndimor: kontroll i hekurt dhe i pakompromis mbi paranë e taksapaguesve, krahas mbrojtjes së plotë të lirisë ekonomike dhe të drejtave të sipërmarrjes private.
U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë politike, që ta shqyrtojnë dhe ta mbështesin pa vonesë këtë paketë ligjore, në emër të interesit publik dhe llogaridhënies para qytetarëve.
Gazeta RD