Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e kontrollit parlamentar dhe rolin e opozitës në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Në fjalën e tij në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, Bardhi tha se integrimi europian nuk duhet të jetë thjesht një proces i përafrimit të legjislacionit, por një transformim i institucioneve demokratike.
Bardhi deklaroi se gjatë kësaj legjislature opozitës i janë mohuar instrumente të kontrollit parlamentar. Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte ajo e Komisioneve Hetimore. Bardhi u shpreh se opozita ka paraqitur gjashtë kërkesa për ngritjen e tyre dhe se asnjëra nuk është pranuar nga mazhoranca.
Deklarata e Bardhit
Edhe unë ndaj qëndrimin si shumë në këtë sallë, se integrimi europian i Shqipërisë nuk është thjeshtë një slogan politik, por është dhe duhet të jetë, mbi të gjitha, një proces transformimi i shtetit shqiptar. Për fat të keq, edhe pse Shqipëria është në një fazë të avancuar të negociatave, nuk rezulton që ky proces të të jetë shoqëruar, qoftë edhe në fillesat e tij, me transformimin e institucioneve demokratike në vend.
Për ne si opozitë, Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht vendi ku votohet legjislacioni i përafruar me Bashkimin Europian. Parlamenti duhet të jetë institucioni që garanton se këto ligje zbatohen, sepse qeveria kontrollohet dhe se reformat europiane, janë gjithëpërfshirëse dhe nuk mbeten vetëm në letër.
Në vitin 2026, Parlamenti Europian ka evidentuar shqetësime për dobësimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin. Ky është një shqetësim që ne parlamentarët shqiptarë duhet ta adresonim. Mirëpo, kjo nuk ndodh. Edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë, i jep pakicës parlamentare të drejtën të kontrollojë Qeverinë, në realitet kjo e drejtë mohohet.
Kryeministri në 1 vit të kësaj legjislature, nuk ka pranuar asnjë interpelancë apo kërkesë për llogaridhënie nga opozita. Janë 7 kërkesa të tilla në një vit, që Kryeministri ka refuzuar ti përgjigjet, duke e reduktuar prezencën e tij në Kuvend, vetëm kur nevojitet vota e tij për të miratuar ndonjë ligj me shumicë të cilësuar. Kjo i ka pamundësuar opozitës të luaj rolin e vet në një shoqëri demokratike, që ndër të tjera është edhe të mbajë përgjegjëse Qeverinë për fenomene negative, që prekin interesin publik.
Kushtetuta jonë gjithashtu i njeh pakicës parlamentare të drejtën të ngre Komisione Hetimore. Gjatë kësaj Legjisalture 1 vjecare, kemi paraqitur 6 të tilla. Asnjëra nuk është pranuar, sepse mazhoranca ka refuzuar të zbatojë Kushtetutën. Madje, edhe pse i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit na ka dhënë të drejtë, ende vendimet e saj mbahen në syrtar dhe nuk zbatohen.
Për ilustrim, në Shtator 2025, opozita kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për të verifikuar keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje, një problematikë serioze e zgjedhjeve të shkuara e evidentuar edhe në raportin e OSBE – ODIHR. Mazhoranca e pengoi ngritjen e këtij Komisioni Hetimor. Ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese. E fituam cështjen dhe në Korrik 2026 Gjykata Kushtetuese urdhërojë Kuvendit që të lejojë ngritjen e këtij Komisioni Hetimor. Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ende kjo e drejtë e opozitës nuk është zbatuar dhe Komisioni Hetimor nuk është ngritur.
Gazeta RD