Nga Bujar Leskaj
Dje, më 20 shtator 2026, mora pjesë në përkujtimoren solemne në fshatin Mursi, Konispol, e organizuar nga dega e Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë, dega Konispol, kushtuar qëndrestarëve antikomunist të fshatit Mursi.
U përulëm me nderim dhe vendosëm kurora me lule përpara memorialit në fshatin Mursi, kushtuar heronjve të qëndresës antikomuniste, atyre që humbën jetën dhe atyre që rezistuan në burgjet e komunizmit.
Ky memorial, i ndërtuar nga vetë banorët e fshatit Mursi, këtë vit shënon 18-vjetorin e vendosjes së tij.
Organizatorët e këtij aktiviteti përkujtimor ishin z. Kristo Gogo, z. Loli Gërbura dhe z. Petrit Ali Mulla, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë Konispol dhe Mursi.
Në fjalën time theksova rëndësinë e kujtesës historike, sepse një demokraci pa kujtesë është e destinuar të shuhet. Kujtesa është veçanërisht thelbësore kur bëhet fjalë për nderimin e heronjve antikomunistë dhe, në këtë kontekst, fshati Mursi qëndron si një simbol i gjallë i qëndresës kundër diktaturës dhe i luftës për liri e demokraci.
Ky fshat mbetet një simbol i sakrificës dhe rezistencës, i cili për më shumë se pesë dekada e pagoi qëndresën e tij me dhjetëra të burgosur, të pushkatuar dhe të internuar nga regjimi komunist.
Gjithashtu, solla në vëmendje vlerat e jashtëzakonshme të fshatit Mursi, rolin e tij të spikatur në qëndresën antikomuniste dhe kontributin e paharrueshëm në ndërtimin e demokracisë në vendin tonë.
Propozova gjithashtu ngritjen e një muzeu kushtuar ish-të përndjekurve të këtij fshati, për realizimin e të cilit duhet të punojmë të gjithë së bashku.
Në këtë përkujtimore, nderimi iu dha emrave të atyre që dhanë jetën dhe vuajtën përndjekjen e regjimit komunist.
Fshati Mursi, gjatë periudhës së diktaturës, u bë një prej epiqendrave të qëndresës antikomuniste.
Me 32 burra dhe gra të burgosur politikë, 27 familje të internuara dhe 43 individë të arratisur jashtë vendit, Mursia vuajti përtej çdo kufiri të mundshëm.
Ky ishte një fshat që nuk u dorëzua, nuk u përkul para dhunës dhe persekutimit të regjimit komunist.
Me 1200 vite burg, internime dhe vuajtje, fshati Mursi qëndroi i fortë dhe i patundur. Ai ishte një simbol i heronjve antikomunistë, një fshat që nuk pranoi kurrë t’i dorëzohej diktaturës.
Memoriali në Mursi shënon emrat e martirëve nga ky fshat, të vrarë apo që humbën jetën nëpër burgje e internime:
1.Vasil Dhimo Gjika – i vrarë në kufi.
2.Sotir Nikolla Konomi – i vdekur në burg politik.
3.Kostandin Petro Vaso – i vdekur në burg politik.
4.Vasil Koço Mello – i vdekur në burg politik.
5.Thoma Jani Koloj – i vdekur në burg politik.
6.Vangjel Anastas Dhjamanti – i vdekur në burg politik.
7.Sotir Theodhori Taho – i vdekur në burg politik.
8.Jani Koço Danga – i vdekur në burg politik.
9.Vangjel Dhimo Gjika – i vdekur në internim.
10.Katerina Lole Çifteli – e vdekur në internim.
Ky memorial qëndron si një dëshmi e guximit të një populli të thjeshtë, por të fortë, që përballoi mizorinë e regjimit pa u thyer.
Qëndresa antikomuniste e Mursit nuk është thjesht një element i historisë lokale, por është pjesë e një tradite më të gjerë të qëndresës shqiptare ndaj regjimit komunist.
Nga fshati Mursi, 32 burra dhe gra u burgosën politikisht. Sot, memorialit iu shtuan edhe kujtimet për kulakët e Mursisë dhe të arratisurit, por mbi të gjitha edhe për Pilo Ajazin, vetëm 17 vjeç.
Të gjitha këto shifra e kishin kthyer fshatin Mursi në një fshat të goditur rëndë nga regjimi mizor i Enver Hoxhës.
Djem e vajza të reja humbën rininë në burgjet dhe internimet, në kampet e regjimit dhe pas telave me gjemba, një sistem që sakatoi shqiptarët.
Në këtë përkujtimore nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe heroi i gjallë, z. Bedri Blloshmi, i cili mbajti fjalën në këtë aktivitet, ku theksoi rëndësinë e kujtesës së qëndresës antikomuniste.
Të pranishëm ishin gjithashtu: z. Arben Dosti, nënkryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, nga Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Politikë; z. Ergest Dule, kryetar i Bashkisë Konispol; znj. Matilda Qurku, kryetare e Partisë Demokratike të Sarandës; z. Farudin Lame, kryetar i Partisë Demokratike, Dega Konispol; z. Gjergji Mano, drejtues i Shoqatës “Vllazëria Mursiote”; z. Altin Hoxha, nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit; z. Andrea Baxheri, inxhinier dhe anëtar i Kryesisë së PD-së Sarandë.
Në fjalën e tij z.Kristo Gogo solli në vëmendje çaste nga vuajtjet e babait të tij, Kozma Gogo, në ferrin komunist.
Përshëndeti gjithashtu z. Gjergji Mano, në emër të Shoqatës “Vllazëria Mursiote” si dhe mbajtën fjalën kryetari i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë dhe organizatori i kësaj përkujtimore,z. Petrit Mullai, dhe kryetari i Bashkisë Konispol, z. Ergest Dule.
Pas kësaj ceremonie përkujtimore, aktiviteti vazhdoi me biseda me familjarë të familjeve të persekutuara nga regjimi komunist, të cilët ishin të pranishëm në këtë përkujtimore.
Së bashku me organizatorët diskutuam edhe për krijimin e Muzeut të Qëndresës Antikomuniste të Mursisë, një ide që duhet ta kthejmë në realitet, në mënyrë që historia, sakrifica dhe vuajtjet e këtyre familjeve të mos harrohen kurrë.
Të pranishmëve dhe organizatorëve u dhurova gjithashtu libra simbol të letërsisë së burgut: Gjuetia e pëllumbave, Muzat e qëndresës, Rrëfime nga ferri komunist dhe Tragjedia e inteligjencës së naftës.
Memoriali i Mursit nuk është vetëm një monument fizikë. Ai është një dëshmi e kujtesës, e sakrificës dhe e qëndresës së njerëzve që vuajtën, luftuan dhe humbën jetën përballë diktaturës. Kjo kujtesë duhet të ruhet dhe t’u përcillet në veçanti të rinjve.










Gazeta RD