Fjala e plotë
Të nderuar bashkëkryetarë,
Të nderuar kolegë,
Dua të ngre sot një çështje që lidhet drejtpërdrejt me demokracinë, qeverisjen vendore dhe, në fund të fundit, me integritetin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri: ndërprerjen e njëanshme të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.
Më 23 qershor 2026, mazhoranca socialiste refuzoi kërkesën e opozitës për zgjatjen e mandatit të Komisionit.
Kjo ndodhi ndërkohë që programi i miratuar i punës nuk ishte përfunduar; konsultimet nuk ishin mbyllur, përfshirë konsultimin e planifikuar në Tiranë; dhe, mbi të gjitha, raporti përfundimtar nuk ishte diskutuar dhe as miratuar formalisht nga vetë Komisioni.
Pra, i vetmi mekanizëm parlamentar i ngritur posaçërisht për të ndërtuar konsensus ndërpartiak për reformën territoriale u mbyll përpara se të përfundonte punën e tij.
Dhe kjo ndodhi vetëm gjashtë ditë pas Rezolutës së Parlamentit Europian të 17 qershorit 2026 për Shqipërinë.
Parlamenti Europian kërkoi shprehimisht që reforma territoriale të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të mbështetet në kritere objektive socio-ekonomike dhe në standardet europiane të vetëqeverisjes vendore.
Ajo që ndodhi vetëm gjashtë ditë më vonë shkon në drejtim të kundërt me këtë rekomandim.
Por problemi nuk është vetëm procedural. Ai është edhe thelbësor.
Deri tani nuk është paraqitur një analizë gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në të dhëna që të justifikojë një hartë të re territoriale: nuk kemi një metodologji të dakordësuar me kritere objektive socio-ekonomike; një vlerësim gjithëpërfshirës të zhvillimeve demografike, kapaciteteve administrative, qëndrueshmërisë financiare dhe cilësisë së shërbimeve; dhe, mbi të gjitha, nuk është bërë një vlerësim i plotë i rezultateve të reformës territoriale të vitit 2015.
Këto shqetësime janë ngritur edhe nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës.
Në monitorimin e tij të fundit për Shqipërinë, raportuesit evidentojnë vazhdimin e tendencave të centralizimit dhe faktin se parimi i subsidiaritetit zbatohet vetëm pjesërisht. Ata evidentojnë gjithashtu probleme të autonomisë financiare dhe të kapaciteteve të pushtetit vendor.
Por për reformën e re territoriale paralajmërimi është edhe më konkret.
Raportuesit konstatojnë se shoqatat e pushtetit vendor dhe autoritetet lokale kishin informacion të kufizuar për reformën e planifikuar, ndërsa efektet e reformës së mëparshme territoriale nuk ishin vlerësuar me kujdes.
Ata paralajmërojnë gjithashtu se, nëse ruhet një afat kaq i përshpejtuar, ekziston rreziku që konsultimet të jenë formale dhe jo substanciale.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me nenin 5 të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, sipas të cilit ndryshimi i kufijve territorialë vendorë duhet të paraprihet nga konsultimi me komunitetet lokale.
Të nderuar kolegë,
Pse është kaq e rëndësishme kjo çështje?
Sepse reforma territoriale nuk është thjesht një ushtrim administrativ.
Ajo përcakton ku dhe në çfarë kufijsh do të zhvillohet konkurrenca politike në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Kufijtë e bashkive përcaktojnë njësitë ku zgjidhen kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë. Ndërsa, nëse reforma prek edhe numrin apo konfigurimin e qarqeve, kjo mund të ketë pasoja edhe për kuadrin territorial të përfaqësimit parlamentar.
Pikërisht për këtë arsye, ndryshimi i këtyre kufijve pa një konsensus të gjerë politik ngre shqetësime legjitime për barazinë e konkurrencës politike.
Rregullat dhe kufijtë brenda të cilëve zhvillohet gara elektorale nuk duhet të përcaktohen në mënyrë të njëanshme nga e njëjta mazhorancë që do të konkurrojë në ato zgjedhje.
Dhe shqetësimi bëhet edhe më serioz kur këtë e lidhim me Reformën Zgjedhore.
Shqipëria ende duhet të adresojë rekomandime të rëndësishme ndërkombëtare lidhur me integritetin zgjedhor, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe të administratës publike.
Nëse konsensusi braktiset sot për Reformën Territoriale, ekziston shqetësimi legjitim se e njëjta metodë mund të ndiqet nesër edhe me Reformën Zgjedhore: duke anashkaluar mekanizmin ndërpartiak dhe duke ndryshuar rregullat themelore të zgjedhjeve vetëm me votat e mazhorancës.
Prandaj kjo çështje duhet të na shqetësojë edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.
Integrimi europian nuk mund të matet vetëm me numrin e kapitujve apo grup-kapitujve të hapur apo të mbyllur.
Ai duhet të matet edhe me mënyrën se si bëhen reformat: nëse Parlamenti funksionon realisht; nëse opozita ka mundësi të marrë pjesë në mënyrë substanciale; nëse pushteti vendor dhe qytetarët konsultohen realisht; nëse vendimmarrja mbështetet në kritere objektive dhe në të dhëna; dhe nëse rregullat që ndikojnë konkurrencën demokratike miratohen përmes dialogut dhe jo imponohen në mënyrë të njëanshme.
Prandaj, u bëj thirrje partnerëve tanë europianë që të inkurajojnë autoritetet shqiptare dhe mazhorancën parlamentare të rishikojnë vendimin e 23 qershorit, të rikthejnë procesin ndërpartiak, të përfundojnë konsultimet e papërfunduara dhe të garantojnë që Reforma Territoriale të mbështetet në kritere objektive socio-ekonomike, konsultim real dhe konsensus të gjerë politik.
Kjo nuk do të ishte një lëshim ndaj opozitës.
Do të ishte respektim i standardeve europiane të demokracisë.
Shqipërisë i duhet një Reformë Territoriale që forcon pushtetin vendor dhe u shërben qytetarëve — jo një hartë territoriale e vendosur në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca politike përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Faleminderit!
Gazeta RD