Shefja e shërbimit sekret në arrest/ Xhafaj: Fenomen normal!

Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t, ka shkaktuar debate të forta edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Mbledhja e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës, me deputetët opozitarë që kanë kërkuar ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e seancave dëgjimore për zhvillimet e fundit të lidhura me dosjen e AKSHI-t.

Opozita ka kërkuar llogari të menjëhershme nga mazhoranca socialiste, duke kërkuar ndryshimin e rendit të ditës dhe thirrjen e seancave dëgjimore urgjente për skandalin në fjalë.

“Përpara se të nisim me rendin e ditës, kjo seancë nuk mund të nisë në mënyrë të zakonshme, sepse ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Sot është certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar. Duhet të ndryshojmë kalendarin dhe të zhvillojmë seanca dëgjimore për mënyrën se si është ushtruar mbikëqyrja mbi SHISH”,- ka deklaruar deputeti demokrat, Ivi Kaso.

Ndërsa nga ana tjetër, kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës duke argumentuar se funksionimi i organit të akuzës ndaj zyrtarëve të lartë nuk tregon dështim, por konsolidim të institucioneve.

Edhe pse një prej drejtuesve më të lartë të institucioneve të sigurisë në vend dyshohet se ka dhënë informacione te Ergys Agasi një prej personave kyç të dosjes AKSHI”, Xhafaj thotë se ky është një fenomen normal që sipas tij  ndodh në të gjithë botën.

“Institucioni përkatës ka kryer punën e tij. Kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë, tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve. E kundërta do të ishte e vërteta, atë që kemi parë në 30 vite. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar dhe shtet të së drejtës, ndodhin në të gjithë botën”, është shprehur Xhafaj.

About Redaksia

Check Also

Bojkot edhe në Elbasan, studentët e Fakultetit Ekonomik lënë mësimin

Valës së protestave studentore i janë bashkuar edhe studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër …