Berisha tha se pas Kuvendit dhe forumeve të zhvilluara me moton e ripërtëritjes, përgjegjësia e drejtuesve të rinj është të justifikojnë votën e anëtarësisë së PD-së.
Berisha: Ne zhvilluam një Kuvend dhe një seri forumesh me moton e Ripërtëritjes, dëshmi më e qartë, ose fryt më i qartë i kësaj motoje është kjo kryesi. Jeni ju që u zgjodhët me votën e demokratëve, për të cilët duhet të bëjmë çdo gjë për ta justifikuar atë.
Ndaj dhe kjo mbledhje është një apel, një kushtrim për secilin prej nesh të shkojmë tek qytetarët.
Të shkojmë tek anëtarët tanë.
Të shkojmë tek mbështetësit tanë.
Drejtues të një force politike opozitare kryesore, është nder, është përgjegjësi e madhe.
Por asgjë nuk dëmton, nuk zvogëlon forcën tonë se sa distanca me njerëzit tanë.
Kjo është në çdo kohë, por kjo është sot më shumë se kurrë në kushtet në të cilat ne ndodhemi.
Për ne është jetike të japim çdo kontribut, të bëjmë çdo përpjekje për një PD funksionale.
Për një PD të ripërtërirë.
Të bëjmë çdo përpjekje që të përballemi me këtë regjim me eficencën dhe qëndresën më të madhe.
Të bëjmë çdo përpjekje për të mbështetur një protestë epike në karakterin e saj, e cila po zvarrit Edi Ramën çdo natë në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Në kuptimin moral, sepse në kuptimin fizik ai është një kufomë e pakallur që qëndron në pushtet me forcën e drogës dhe bandave.
Ndaj dhe njëherë, mbështetja e kësaj proteste është detyrë madhore e PD.
Anëtarët, mbështetësit e saj, me qindra dhe mijëra, janë pjesëmarrës në këtë protestë.
Dhe unë dhe të gjithë së bashku u njohim atyre një meritë shumë të madhe.
Dhe ju të gjithë pa përjashtim, përveçse dy-tre veta që mund të bëhen problem për simbolikën qytetare, të gjithë të tjerët së bashku me zgjedhësit tuaj, mbështetësit tuaj, anëtarët tuaj, duhet të jeni në atë protestë.
Edi Rama, të ardhme nuk ka.
Edi Rama ka një rënie, e cila bën të pashpresë në mënyrë absolute rimarrjen e tij.
Por ai kërkon që ne t’i japim shtytjen që meriton.
Ai kërkon që opozita të ngrihet gjithnjë e më fuqishëm kundër tij.
Si PD, në njëfarë mënyre, u them ju, kjo është një fillim në kushte krejt të tjera. Në kushte nga më të favorshmet, por edhe në kushtet e vështirësive më të mëdha.
Gazeta RD