Nga Grigels MUÇOLLARI
Para pak muajsh, Edi Rama e “shpëtoi” Shqipërinë nga turpërimi, duke dhënë 4.2 milionë euro të buxhetit për një koncert të Kanye West. Në rast se ky event dështonte për mospjesëmarrje, sipas Kryeministrit, kjo do të ishte një damkë e rëndë për ne si vend e si komb. Dhe si kalorës, ai mbrojti nderin tonë.
Ndoshta një dështim i atij koncerti mund të ishte kthyer në të vërtetë në publicitet të mirë, se do të tregonte maturinë e një shoqërie që di të refuzojë, ashtu siç ky këngëtar është refuzuar në vendet më të zhvilluara e më të rëndësishme të Europës.
Por Edi Rama nuk qëndroi duarkryq. Si gardian i imazhit të vendit tonë, ai nuk i la asgjë rastësisë, edhe pse kjo u kushtoi qytetarëve shqiptarë 4.2 milionë euro.
Prej dje, nga Azia deri në Amerikë, Shqipëria po përmendet në lajme si vendi ku shefja e Shërbimit Sekret është arrestuar, pasi akuzohet si e lidhur me krimin dhe që ka nxjerrë informacion për interesat personale.
Kaq masivisht zor se është raportuar për Shqipërinë në shkallë botërore. Nuk flitet për plazhet e bukura kësaj radhe, as për natyrën e virgjër, por për një inkriminim që haset vetëm në republikat e dështuara dhe narkoshtetet.
Ky është një turpërim i vendit. Një damkë me shumë kosto. Është vënë seriozisht në dyshim kredibiliteti i shtetit. Partnerët e Shqipërisë mund ta shohin ndryshe raportin me ne. Po dhe investitorët e mundshëm do ta analizojnë përpara se të marrin një vendim. Kush ia bëri Shqipërisë këtë dëm? Padyshim Edi Rama. Mënyra se si ka ngritur ai pushtetin. Gysi i tij që ka kaq shumë influencë sa rekruton shefen e Shërbimit Sekret, lehtësia me të cilën kryhen vepra të tilla penale. Vlora Hyseni e ka ditur mirë se po shkel ligjin, por sërish e ka bërë. Sepse me Edi Ramën kjo ndodh, kjo mund të bëhet.
Po kush do të paguajë për këtë turpërim? Edi Rama, që është shkaktari, nuk mban përgjegjësi. Ai mendon ta kalojë këtë moment mjaft të vështirë për vendin me një emërim të ri. A ka ndonjë mënyrë për ta zhbërë këtë që ka ndodhur? A do të mbulohej kjo me 4.2 milionë euro, për shembull, siç shpëtuam nga gremina ku do të na hidhte dështimi i koncertit?
Ekziston, në fakt, një rrugë, një shans për ta rikuperuar këtë njollosje. Nëse shoqëria ngrihet fuqimisht dhe nuk e lejon të kalojë si ato çuditë që zgjasin vetëm 3 ditë. Po qe se kemi një mobilizim masiv dhe protestë të fuqishme, ky moment i vështirë mund të shndërrohej në gur të çmuar, në avantazh, në PR të mirë për vendin. Bota që sot lexon se sa i kriminalizuar e i korruptuar është vendi, do të shihte se shqiptarët reaguan, detyruan Kryeministrin të largohej dhe siguruan zgjedhje të lira e të ndershme.
Këtë mund ta bënte edhe Edi Rama vetë, duke dhënë dorëheqjen. Po në të vërtetë ai nuk është kalorësi që i shpëton nderin Shqipërisë. Është mallkimi, në fakt, i vendit. Ndaj, e kanë për detyrë ta bëjnë njerëzit, ta bëjnë qytetarët.
Gazeta RD