Si kontrasti Guillaume/ Pollo: Hyseni shpjegon Shqipërinë 2026

Nga Genc POLLO – President i Paneuropa-Shqipëri

Të thuash se KM Rama duhet të dorëhiqet mbasi është ai që e emëroi Vlora Hysenin shefe të Shërbimit Informativ është si të merresh me gjurmën dhe jo me ujkun. Megjithë rrethanat e dyshimta të emërimit mbetet e vështirë në mos e pamundur të provohet synimi malinj në atë veprim.

Por Rama nuk bëri asgjë kur prej më shumë se një viti opozita e aktorë të tjerë denoncuan publikisht, probleme, shkelje madje edhe skandale nën përgjegjësinë apo me autorësinë e Vlora Hysenit; të ngjashme ose të njëjta me akuzat e djeshme të SPAKut. Një KM normal e i papërlyer do të shqyrtonte apo edhe hetonte aktivitetin e të besuarve të tij në ofiqe shtetërorë përballë fajësimeve të rënda të shprehura periodikisht në Kuvend e në media. Në rastin e ShISh-it Kryeministri madje për këto raste ka Inspektorin e Përgjithshëm të shërbimit, të cilin e emëron vetë pa kundërfirmën e Presidentit. Por Rama direkt e indirekt e mbrojti dhe e mbuloi Hysenin. Deri dje.

Sot, në çdo shtet normalo-demokratik kryeministri do të jepte jo vetëm sqarime konkrete por edhe do të ofronte dorëheqjen për të rivendosur besimin në institucionet shtetërore.

Kur policia gjermano-perëndimore arrestoi në prill 1974 si spiun gjermano-lindor Günther Guillaume, këshilltarin e ngushtë të kancelarit Willy Brandt, ky i fundit edhe pse nuk kishte ditur gjë deri kur në momentin kur shërbimet e vunë në dijeni para arrestimit, mori përgjegjësinë me pasoja personale. Në ato pak ditë midis arrestimit e dorëheqjes asnjë parti në Bundestag nuk bëri fillimisht thirrje për largmin e kancelarit por ai u fajësua për ngjarjen  sidomos nga opozita; por menjëherë e me konsensus Bundestagu ngriti nje komision hetimor për këtë çështje. Brandt e kuptoi situatën dhe u dorëhoq. Sot ai kujtohet me respekt jo vetëm nga socaldemokratët e tij por nga publiku gjerë gjerman si udhëheqës me merita historike.

Në Shqipërinë e sotme që ironikisht ka hapur negociata për 30 e ca kapituj problemi më i madh nuk është skandali i Hysenit apo më herët i Gysit etj. etj.

Problemi është se në kushtet e regjimit autoritaro-kleptokratik janë mënjanuar në mos asgjësuar mekanizmat politikë të cilat funksionojnë në një demokraci. Dhe kështu zgjidhja pritet e shpresohet të vijë nga rruga ose nga gjyqësori.

About Redaksia

Check Also

Terrori policor ndaj protestuesve, një person përfundon pa ndjenja te sheshi “Skëndërbej”

Një person ka mbetur pa ndjenja në sheshin Skënderbej gjatë ndërhyrjes së dhunshme të policisë …