Ministrja e Shëndetësisë duhet të bëjë transparencë të plotë për anulimin e tenderit 50 milionë euro

Nga Bardh SPAHIA

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, duhet të bëjë transparencë të plotë për anulimin e tenderit të hemodializës me vlerën prej 50 milionë euro. Kjo procedurë, që lidhet me një shërbim jetik për pacientët në pesë spitale rajonale, u zhvillua me vetëm një ofertues. Më 10 shtator u shpall fituese Diaverum AB, me një ofertë prej 4,44 miliardë lekësh pa TVSH. Më pas procedura u anulua, ndërsa shpjegimi i publikuar kufizohet te konstatimi se dokumentet e tenderit përmbanin «gabime ose mangësi të rëndësishme».

Në interpelancën e seancës së 17 shtatorit, pyetjeve të ngritura nga ana ime, ministrja ju përgjigj duke thënë se do të priste përfundimet e auditimit për të marrë vendimet e duhura. Më shumë se një javë më pas, publiku ende pret të mësojë cilat ishin gabimet apo shkeljet, kush i miratoi dokumentet dhe çfarë ka konstatuar auditimi, e kujt është përgjegjësia?

Nuk mundet t’u hidhet hi syve shqiptarëve me një justifikim kaq të përgjithshëm për anulimin e tenderit që kushton dhjetëra miliona euro nga taksat e tyre dhe ka një rëndësi jetike për mijëra të tjerë.

Zonja Ministre, ju duhet të sqaroni publikisht se si u përgatit dhe u mbyll një procedurë prej rreth 50 milionë eurosh, si u shpall fitues operatori, i vetëm pjesëmarrës dhe vetëm më pas u zbuluan mangësi kaq të rëndësishme sa të kërkonin anulimin?

Cilat janë konkretisht këto mangësi dhe në cilën fazë duhej të ishin konstatuar ato?

A ishte anulimi pasojë e një kontrolli të dokumentuar apo në fakt ai synon rihapjen e një procedure të re për të ndryshuar operatorin fitues?

Kush mban përgjegjësi për hartimin dhe miratimin e dokumenteve: drejtuesit e autoritetit kontraktor, përfshirë drejtoreshën që larguat nga detyra vetëm një ditë pasi erdhët në drejtimin e Ministrisë, apo do t’ia faturoni ndonjë zyrtari të thjeshtë?

A është anulimi i tenderit një fakt, një justifikim sepse qëllimi është për t’ia kaluar një operatori tjetër ekonomik të lidhur me Sani Sanilevich, miku i Roni Yeffet dhe Edi Ramës?

Zonja Ministre, ju keni detyrimin t’i bëni publike vendimin e arsyetuar të anulimit, dokumentet ku janë identifikuar gabimet, përgjegjësit për to, përfundimet e auditimit dhe planin që garanton vazhdimësinë e hemodializës për pacientët.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë ndodhi me këtë tender dhe kush do të mbajë përgjegjësi.

Heshtja tregon se ju po i shërbeni vetëm një agjende, shndërrimin e Shëndetësisë nën modelin KAYO në dorë të interesave okulte dhe personale të Edi Ramës.

About Redaksia

Check Also

Rama ktheu shtetin në organizatë kriminale! Kërkojmë burgosjen dhe konfiskimin e pasurive!

Në podiumin para Kryeministrisë, në nisje të protestës së 119-të, aktivistja Sidorela Vatnikaj kërkoi jo …