Kërkesa e Partisë Demokratike për zhvillimin e “Mocionit për zhvillimin e debatit”, me objekt përgjegjësitë institucionale lidhur me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-Drejtores së SHISH-it, znj. Vlora Hyseni është parashtuar në Konferencën e kryetrave.
Deputeteja e PD, Ina Zhupa tha se, nëse zoti Balla e ka marrë fikjen e radarëve si një histori dashurie, mund të jetë perceptimi i tij. Ne e kemi marrë fikjen e radarëve, siç e ka marrë çdo shqiptar, si cenim të sigurisë kombëtare.
Ina Zhupa: Çdo mocion me debat shtrohet për shkak të një problemi dhe në fillim nuk thotë as mesazhet e Vlorës me Gysin, as dëshmitarët, as u fikën apo nuk u fikën radarët. Dhe nëse zoti Balla e ka marrë fikjen e radarëve si një histori dashurie, mund të jetë perceptimi i tij. Ne e kemi marrë fikjen e radarëve, siç e ka marrë çdo shqiptar, si cenim të sigurisë kombëtare.
Sepse në këtë vend kemi parë që fikja e radarëve është bërë për avionë që kalonin me drogë, fikja e radarëve është bërë kur bëhen vrasje njerëzish në Rinas dhe nuk kishte asnjë kamerë që të tregojë se çfarë ka ndodhur. Fikja e radarëve për kontrollin e territorit, kjo është çështje për të diskutuar, se deri ku është cenuar siguria kombëtare, deri në çfarë të dhënash janë dhënë grupeve të strukturuara kriminale.
Duhet të diskutojmë në Parlament apo Parlamenti duhet të bëhet thjesht noter i qeverisë, siç i pëlqen zotit Balla? Ky Parlament ka kompetenca që ia ka dhënë Kushtetuta dhe, sigurisht, do të duhet të kuptojë më shumë se cilat ishin mekanizmat e kontrollit që përdori Kryeministri para se të emëronte Vlorën Hyseni.
Sepse kushdo e di që çdo njeri i shkarkuar nga shërbimet sekrete, qofshin brenda, qoftë të huaja, e ka të pamundur të rikthehet në shërbimet sekrete. Dhe ndërkohë që ajo ishte shkarkuar në Kosovë, ne nuk e morëm thjesht ta fusnim në shërbimet sekrete; ne e bëmë drejtues të shërbimeve sekrete.
Po ta kuptojmë edhe ne se çfarë lloj informacioni mori Kryeministri, se kur na ndodhi një herë, mund të na vijë një Vlorë tjetër, me emrin Durrësi.
Balla thotë se të gjitha institucionet kanë bërë detyrën e tyre, por vetëm Kuvendi, sipas tij, nuk mund ta kryejë detyrën. Kjo është e papranueshme.
Gazeta RD