I deleguari politik i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, deputeti Ivi Kaso, deklaroi se opozita duhet të fokusohet te organizimi dhe ripërtëritja, ndërsa akuzoi qeverinë për shpopullimin e qarkut dhe politikat që, sipas tij, kanë dëmtuar banorët.
Gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Korçë, Kaso tha se ky qark përballet me një prej problemeve më të mëdha të vendit, shpopullimin.
Sipas tij, sfida e opozitës në Korçë është e dyfishtë: të përfaqësojë qytetarët e këtij qarku dhe njëkohësisht të përballet me mënyrën e qeverisjes së mazhorancës.
Kaso akuzoi qeverinë se ka përdorur patronazhistët si mekanizëm kontrolli politik dhe tha se kjo ka ndikuar edhe në largimin e banorëve nga qarku.
Ivi Kaso: Të dashur miq, bashkëpunëtorë dhe kolegë.
I nderuar lideri i opozitës së bashkuar, profesor doktor Sali Berisha.
Drejtimi i qarkut të Korçës, si përfaqësues politik i kryetarit dhe kryesisë së Partisë Demokratike, ka qenë për mua një privilegj dhe ju falënderoj për besimin. Ju jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen, atyre që na ndoqën sot këtu, apo atyre që na ndjekin nëpërmjet medias.
Korça nuk është thjesht një prej 12 qarqeve administrative të Shqipërisë. Ajo është treva ku Shqipëria e ka kthyer përherë kokën për kulturë, dije dhe qytetari.
Duke ditur këtë, sfida e opozitës në Korçë ka qenë e dyfishtë: të paraqitet siç e kërkon Korça dhe njerëzit e saj, por edhe të luftojë me një kundërshtar politik që, për hir të karriges dhe të pushtetit, e ka qeverisur dhe mbajtur Korçën jo me bijtë dhe bijat e dijes, kulturës dhe qytetarisë, por me hibridin e një pjelljeje të re politike, me patronazhistët, një kombinim i spiunit me bashibozukun, i kusarit me mashtruesin, i hileqarit me banditin.
Kjo ka çuar në filozofinë e mbrapshtë ‘secili për vete, zoti për të gjithë’, apo në atë që shefi i shtatmadhorisë së patronazhistëve e quan ‘kap çfarë të kapësh’.
Dhe cili është rezultati sot?
Njerëzit, korçarët, devollinjtë, pogradecarët, të gjithë banorët e këtyre trevave janë të detyruar të ikin, të braktisin shtëpitë, lagjet, qytetet dhe fshatrat.
Një statistikë e thjeshtë e tregon këtë fakt. Sot Korça është qarku me shpopullimin më të lartë në Shqipëri.
Përse? Ju e dini vetë, sepse jua kanë thënë dhe jua thonë përditë ata që janë larguar, të afërmit, miqtë, fqinjët.
Disa prej të gënjyerve mendojnë se Korça ia ka dalë duke qenë se ka një përfaqësues të lartë politik në Tiranë, Nikon.
Çfarë ka bërë Niko në këto 13 vjet me detyra të larta në Tiranë? A nuk ikin banorët e qarkut të Korçës çdo javë apo çdo muaj për të blerë vajin, detergjentët, orizin dhe të gjithë mallrat e shportës në qytetet e Greqisë fqinje?
A ua zgjidhi hallet Niko, apo duhet t’ju vihen mbrapa patronazhistëve të lagjes që tatimet, taksat, OSHEE-ja të mos i mbitaksojë, të mos i mbifakturojë, gjobisë apo, më keq akoma, t’jua fikë dritat e t’jua mbyllë biznesin si një prej formave të persekutimit?
Në Tiranë, Niko nuk përfaqëson Korçën, por interesat e tij dhe të grupit të vet, dhe sidomos të Edi Ramës dhe të regjimit të narko-euros.
Kush ka një biznes të vogël e di mirë këtë. Kush ka një tokë të mbjellë me produkte bujqësore e di akoma edhe më mirë.
Ai dhe mëkëmbësit e tij këtu në Korçë, Raçka, kanë ndjekur modelin fasadë të padronit të tyre, Edit, duke e menduar të gjithë qytetin, të gjithë qarkun, vetëm në dy kilometrat e bulevardit ‘Republika’.
Po Korça nuk është një bulevard.
Korça dhe njerëzit e saj janë në qytete, në qindra lagje, fshatra, spitale, shkolla, dyqane ku ushqimet merren me listë dhe në kafenetë ku kalohen orë të gjata me një kafe përpara, sepse nuk ka punë.
Përveçse në emigrim ose si spiun patronazhist administrate.
Dhe si i përgjigjet qeveria kësaj krize dhe këtyre problemeve?
Në vend që të ketë një strategji afatgjatë për Korçën dhe Maliqin, vendos t’i bëjë bashkë Korçën dhe Maliqin.
A thua se një problem zgjidhet duke e pjesëtuar me dy?
Kjo nuk është një përpjekje për të përmirësuar jetën e korçarëve dhe të banorëve të këtyre trevave; kjo është një llogaritje pushteti për të centralizuar, për të kapur dhe për të mbajtur sa më gjatë vetë pushtetin.
Opozita i ka thënë jo këtij projekti. Jo i kanë thënë edhe qytetarët e Maliqit. Jo duhet t’i thotë sot edhe Korça.
Të dashur miq, ne demokratët e kemi përmbyllur tashmë atë gjak të keq që vlonte mes nesh.
Partia Demokratike ka tashmë simbolet e përfaqësimit, statusin si partia kryesore e opozitës, marrëdhëniet ndërkombëtare më solide se kurrë, kursin e ripërtëritjes të sapohapur dhe është në rrugën drejt suksesit të plotë dhe sa më të shpejtë.
Luftën nuk e kemi dhe nuk duhet ta kemi mes nesh.
Ne kemi vetëm një kundërshtar, vetëm një target, vetëm një synim, dhe ai është Edi Rama dhe shpëtimi i Korçës dhe i gjithë Shqipërisë prej tij.
Ne madje nuk kemi luftë as me socialistët e ndershëm, të cilët, ashtu si demokratët, gënjehen, sorollaten dhe manipulohen nga trimat e Rilindjes.
Edhe ata, ashtu si ne, i prek shtrenjtimi i jetës, çmimet që ngrihen, siguria e munguar, euroja që, kur ua dërgojnë të afërmit, vlen për fat të keq aq sa ç’vlente dhrahmia dikur.
Ata nuk kanë pasur sfidat tona politike, por kanë ndarë hallet e jetës së përditshme si korçarë dhe si shqiptarë.
Sfidat tona kanë kaluar nga rithemelimi te ripërtëritja, nga rreziku i zhdukjes te afirmimi si kokëfortësi e historisë, nga bllokada e gjithanshme te turet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bruksel, edhe në Strasburg të kryetarit Berisha.
Ne jemi gati për t’u kthyer në krye të punëve të Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi punë për të bërë.
Detyra jonë është organizimi dhe ripërtëritja. Ripërtëritja dhe organizimi.
Në çdo nivel, pa dallim, pa kursim, pa hatërmbetje.
Pa shikuar mbrapa, por vetëm përpara.
Pavarësisht eksodit, lodhjes, mërzitjeve dhe frustrimit, Korça dhe Partia Demokratike i kanë ende burimet njerëzore, kualifikimin, shtysat, edhe më shumë idealizmin, që, duke harmonizuar përvojat dhe kontributet e gjithësecilit me freskinë dhe energjinë e të rinjve, ta kthejmë PD-në e Korçës dhe Korçën e PD-së në Korçën e të gjithëve, në shkëlqimin dhe vendin që meriton.
Jo duke pasur një përfaqësues apo dy në Tiranë, por duke ia bërë të qartë Tiranës se, për korçarët, kryeqyteti është Korça.
Rroftë Korça, rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria!
Gazeta RD