Gjatë Foltores së Ripërtëritjes së Partisë Demokratike në Korçë, anëtari i Forumit të Partisë Demokratike, Jurgen Spaho, ngriti shqetësimin për shpopullimin dhe largimin e të rinjve nga qarku, duke e cilësuar situatën si një problem që nuk mund të trajtohet vetëm me statistika.
Spaho deklaroi se në pesë vitet e fundit janë mbyllur 22 shkolla në qarkun e Korçës, ndërsa vetëm në vitin 2025 ka pasur 3726 nxënës më pak se një vit më parë.
Ai u shpreh se mbyllja e shkollave është një pasojë e drejtpërdrejtë e largimit të familjeve dhe dobësimit të komuniteteve rurale.
Jurgen Spaho: Të nderuar të pranishëm. Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot në Korçë, në një trevë me një traditë të pasur qytetare, arsimore dhe kulturore. Por që për mua ka të bëjë me një kuptim më personal sepse jam biri i kësaj treve dhe e njoh nga afër realitetin, problematikat dhe potencialin që ajo mbart. Korça ka qenë gjithmonë një nga ato vende ku arsimi, kultura dhe qytetaria kanë krijuar një identitet të fortë dhe të dallueshëm.
Megjithatë, pas këtij identiteti të konsoliduar, sot përballemi me një problematikë që prek gjithnjë e më shumë komunitetet tona. Largimi i të rinjve, shpopullimi në zonat rurale. Në vitet e fundit, mungesa dhe mundësitë ekonomike, emigracioni, pamjaftueshmëria e investimeve kanë bërë që shumë familje të largohen dhe shumë prej fshatrave të kësaj treve të humbin gradualisht gjallërinë që dikur i karakterizonte. Kjo nuk është vetëm një çështje demografike që ne mund ta ndjekim nëpërmjet statistikave, por pas çdo të riu që largohet është një familje që humbet një pjesëtar. Një komunitet që humbet një potencial dhe një vend që humbet një mundësi për një të ardhme më të mirë.
Shifrat e arsimit e bëjnë edhe më të qartë këtë realitet. Në pesë vitet e fundit janë mbyllur 22 shkolla në qarkun e Korçës dhe vetëm në vitin 2025 ka patur 3726 nxënës më pak se një vit më parë. Kur mbyllet një shkollë, nuk mbyllet thjesht një institucion arsimor, fillon të dobësohet vetë jeta e komunitetit sepse familjet e reja largohen. Shërbimet pakësohen dhe hapësirat rurale bëhen gjithnjë e më pak tërheqëse për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme.
Pikërisht për këtë arsye, kur flasim për të ardhmen e këtyre zonave, duhet të flasim edhe për frymën e re që do të sjellë politika shqiptare. Kjo frymë e rithemelimit u pa në përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku unë pata nderin të jem i zgjedhur me votë. E shoh këtë jo thjesht si një vlerësim personal, por mbi të gjitha si një përgjegjësi për të përfaqësuar një brez të tërë të rinjsh që duan të përfshihen më shumë në politikë dhe të kenë pjesëmarrje direkte në vendimmarrje.
Rithemelimi i vërtetë është aftësia për të bashkuar atë që është fituar ndër vite me atë që duhet të ndërtohet në të ardhmen. Të rinjtë nuk duhet të jenë thjesht dhe vetëm një pjesë dekorative e partisë politike dhe as të kujtohen vetëm në momente zgjedhore. Ata duhet të jenë pjesë e proceseve dhe diskutimeve dhe përgjegjësive gjithashtu. Sepse vetëm kështu mund të ndërtohet një politikë që e kupton realisht se çfarë kërkon brezi i ri. Por kjo nuk do të thotë se e reja duhet të ecë shkëputur nga eksperienca, përkundrazi, energjia e të rinjve ka nevojë për eksperiencën e atyre që i kanë kaluar këto procese ndër vite.
Ashtu sikurse eksperienca ka nevojë për energjinë dhe perspektivën e brezit të ri për t’u përshtatur me një shoqëri që po ndryshon. Prandaj unë sot shoh rithemelimin e Partisë Demokratike si një mundësi për të krijuar pikërisht këtë bashkim. Eksperiencën kur sjell kujtesën dhe mësimet e të shkuarës me energjinë e një brezi që kërkon të ndërtojë të ardhmen. Dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme sot, sepse problemet me të cilat përballemi nuk mund të zgjidhen vetëm përmes deklaratave politike.
Ato kërkojnë praninë tonë në terren, dëgjimin e njerëzve. Dhe një politikë që i kthen shqetësimet e qytetarëve në çështje konkrete të punës së saj. Korça, Devolli, Maliqi, Kolonja apo Pogradeci kanë nevojë për më shumë mundësi ekonomike. Për më shumë investime, për arsim më cilësor. Për një perspektivë që do t’u japë të rinjve arsye për të qëndruar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Dhe këtë nuk mund ta trajtojmë thjesht si një problem lokal, kjo është çështje kombëtare. Por e ardhmja kërkon vizion, përgjegjësi dhe veprim. Faleminderit!
Gazeta RD