Pedagogu thirrje studentëve: Lërini auditoret, merrni sheshet! 

Nga Luciano BOÇI

Të dashur studentë!

Sot, dyert e universiteteve u hapën, por e ardhmja juaj mbetet peng nëse nuk guxoni ta çlironi vetë.

Të ulesh në auditoret e fakultetit është vetëm gjysma e detyrës. Gjysma tjetër, ajo më jetikja, ju thërret jashtë këtyre magjive.

Çfarë vlere ka të marrësh një diplomë shkëlqimi në një vend ku meritokracia është vrarë, ku mundësitë vidhen dhe ku e ardhmja juaj shitet çdo ditë pa ju pyetur fare?

Asnjë leksion brenda auditorit nuk vlen më shumë se leksioni i qytetarisë që duhet të jepni ju sot në shesh. Të mësosh për drejtësinë ndërkohë që ligji shkelet hapur nga pushteti nuk është arsimim, është nënshtrim.

Të studosh për ekonomi ndërkohë që pasuria publike grabitet dhe ju zhyteni në kosto të papërballueshme, është iluzion. Nuk mund të mjaftoheni duke mbajtur shënime se si duhet të funksionojë bota idealisht.

Është koha të dilni në rrugë dhe të kërkoni botën që meritoni! Pushtetet kanë frikë vetëm nga një gjë. Nga një rini e palodhur që nuk blihet, që nuk shantazhohet, që nuk ka tenderë apo karrige për të mbrojtur. Ju jeni e vetmja forcë e pakomprometuar e kësaj shoqërie.

Idealizmi dhe zëri juaj janë arma më e fuqishme kundër çdo qeverisjeje arrogante që mendon se mund t’ju injorojë përgjithmonë. Mos prisni që ndryshimin t’jua sjellin të tjerët. Apatia vret po aq sa korrupsioni.

Historia nuk shkruhet nga ata që bëjnë sehir nga dritaret e bibliotekave, por nga ata që guxojnë të zbresin në bulevarde. Kur mijëra studentë bëhen bashkë, nuk ka pushtet që nuk dridhet dhe nuk ka vendim që nuk kthehet mbrapsht.

Provimi i vërtetë i këtij brezi nuk nis në fund të semestrit. Nis sot, në rrugë, ballë për ballë me padrejtësinë.

Lërini për pak auditoret, merrni sheshet! Bëjeni zërin tuaj të buçasë aq fort sa të mos mbetet asnjë institucion i shurdhër.

Zgjohuni, bashkohuni, marshoni! Sheshi po ju pret! Mirë se erdhët në… protestë të dashur studentë!

About Redaksia

Check Also

Asllani: Protesta e Bashkive para Kuvendit është një këmbanë alarmi për të gjithë popullin!

Nga Ylli ASLLANI Mos i lëshoni territoret tuaja! Territori u përket njerëzve që jetojnë, punojnë …