Kostoja e delirit dhe e manipulimit!

Nga Iva V.GRILLO

Duket se regjimi Rama ka gjetur nje aleat të jashtëzakonshëm në radhët e protestës qytetare: grupet e delirantëve dhe ata të manipulatorëve.

Këta të parët janë ata që në delir të plotë e në fluturim të qartë larg nga realiteti mendojnë se revolta e qytetarëve ka lindur në momentin kur u zgjuan ata vetë dhe para tyre nuk ka ndodhur kurrë asnjë akt i ndershëm rebelimi.

Me parullat e vitit “0”, ku çdo ngjarje para shfaqjes së tyre në publik konsiderohet e padenjë, ky grup delirantësh i projekton publikut të ardhmen me zgjidhje të “mbinatyrshme” e fantastike të cilat siç kanë treguar muajt e fundit nuk kanë asnjë probabilitet real në situatën që është vendi.

Grupi i dytë, ai i manipulatorëve, mesa duket shumë më i strukturuar bën të njëjtën gjë, por me plan e grupe skuadriliesh të cilat sigurohen që çdo thirrje kundër regjimit Rama të balancohet menjëherë edhe me goditjen e atyre që ata i komsiderojnë rivalë direkt në hambarin e votave opozitare apo anti-regjim.

Shqipëria është në një krizë ekzistenciale.

Gjëja e fundit që i duhet Shqipërisë është futja në qorrsokake utopike, deliri apo në llogari meskine të copëtimit të frontit opozitar.

Ata që bëjnë thirrje për përçarje dhe goditje të grupeve opozitare dhe përjashtime përfaqësuesish të elektoratit opozitar nuk janë gjë tjetër veçse shërbëtorë të rëndomtë direktë apo indirektë të një regjimi imoral e kriminal që po e gropos Shqipërinë.

Nuk ka nevojë për shumë teori: front i përbashkët kundër regjimit Rama, qeveri teknike e secili të shohë sa i vlen lëkura më pas.

Nuk ua kanë borxh qytetarët as deliret e as manipulimet tuaja.

Mjaft është mjaft!

Kush nuk është për bashkim, të hapë krahun!

About Redaksia

Check Also

Sot protesta ndodh dy herë

Nga Dea CAKRANI Pas çdo proteste në Shqipëri, lind pyetja: “Sa njerëz ishin në shesh?”. …