Nga Boldnews.al
Pasditen e së Hënës, 5 Tetor, në ambjente të ndryshme të Elbasanit, u përhap me shpejtësi lajmi se ishte arrestuar Leli Kaja, administrator i kompanisë publike të menaxhimit të mbetjeve, “Eco-Elb”. Fillimisht, në mungesë të një konfirmimi zyrtar nga ana e institucioneve të drejtësisë, shoqërimi apo arrestimi i mundshëm i Kajës, u vlerësua me skepticizëm.
Leli Kaja, një nga njerëzit më të besuar të kryebashkiakut të Elbasanit, ishte akuzuar publikisht për afera në menaxhimin e landfillit dhe inceneratorit fantazëm të qytetit. Por, kur Prokuroria e Posaçme, SPAK, njoftoi zyrtarisht se ai ishte arrestua për një situatë të rëndomtë, për marrjen e një rryshfeti rreth 4 mijë euro, pati shumë nga ata në qytet, të cilët u ndjenë të zhgënjyer.

Natyrisht, arrestimi për korrupsion i një zyrtari të rëndësishëm lokal është një ngjarje që nuk kalon pa efekt, sidomos në qytetin e tij, në rastin konkret në Elbasan. Por, sërish, shumë njerëz patën një shije të hidhur, pasi besonin se arrestimi i tij do të lidhej me gjëra shumë të rëndësishme, me menaxhimin e landfillit të shndërruar prej vitesh në një bombë ekologjike dhe që përgjegjësitë e tejkalojnë postin e administratorit të Eco-Elb.
Bianka Çopja është drejtuesja e këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit. Ajo është prej kohësh një zë shumë i rëndësishëm në qytet për denoncimin e asaj që konsiderohet si “afera e inceneratorit”.
Në një komunikim për “Boldnews.al”, Çopja e konsideroi arrestimin e Leli Kajës si një hap shumë të rëndësishëm kundër abuzimit. Ajo vlerëson ndërhyrjen e Prokurorisë së Posaçme, megjithëse gjatë bisedës kuptohet se edhe ajo, si shumë të tjerë, ka pritur që organet e drejtësisë të godasin në zemër të problemit, tek abuzimi miliona euro që prodhohet nga inceneratori karakatinë.
“Unë personalisht dhe ne si opozitë kemi denoncuar shpesh mënyrën se si po digjen qindra miliona lekë të qytetarëve të Elbasanit në atë incenerator që nuk ka punuar asnjëherë”, thotë ajo, duke përmendur se janë bërë me dhjetra kërkesa, përfshirë edhe padi administrative, ku është kërkuar pezullimi i pagesave abuzive për menaxhimin e mbetjeve.

“Qytetarët e Elbasanit, nëpërmjet një Marrëveshje të nënshkruar mes Bashkisë dhe kompanisë publike ‘Eco-Elb’, paguajnë kosto për incenerimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që impianti i djegies së tyre nuk është vënë asnjëherë në funksion”, thotë Çopja.
“Në cilësinë e kryetares së këshilltarëve të opozitës, kam dorëzuar një padi në Gjykatën Administrative, në të cilën kërkohet pezullimi i Marrëveshjes dhe kthimi në arkën e Bashkisë të shumave që janë paguar në mënyrë abuzive për inceneratorin fantazëm. Llogariten në të paktën 4 milionë euro, vetëm nga Bashkia e Elbasanit, që janë paguar në mënyrë abuzive për shërbimin e pakryer”, thotë ajo, e cila thekson më tej se çështja është në shqyrtim gjyqësor.

“Këshilltarët e opozitës kanë ngritur zërin shpesh dhe kanë kundërshtuar me forcë rinovimin e përvitshëm të kësaj Marrëveshje, e cila në vlerësimin tonë, rëndon ndjeshëm dhe pa të drejtë financat publike. Megjithatë, bashkia e Elbasanit, e drejtuar nga Gledjan Llatja, ka vijuar pagesat”, thotë Çopja.
Gazeta RD