Rama e përdori për të vjedhur aeroportin/ Kosova e arreston

Ish-bashkëpunëtori i Behgjet Pacollit, biznesmeni Valon Lluka, është ndaluar sot nga Policia e Kosovës.

Lluka, ish-drejtori i Mabetex Holding dhe ish administrator i shoqërisë koncesionare ‘Vlora International Airport’ është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Shtetit për 48 orë dhe dyshohet për disa vepra penale, mes tyre mashtrim, shpërdorim të pasurisë së huaj, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe lidhje të kontratës së dëmshme.

“Ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, si dhe veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, deklaroi  Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë së Kosovës

Në vitin 2025 ai u shkarkua nga detyra e administratorit të aeroportit, pas një konflikti me kompaninë e Pacollit “Mabco Construction”. Asokohe, Lluka deklaroi se kishte refuzuar të firmoste një dokument që, sipas tij, do ta bënte shoqërinë koncesionare garantuese për një kredi prej 100 milionë eurosh. Nga ana tjetër, Pacolli e akuzoi publikisht ish-bashkëpunëtorin e tij për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim fondesh, akuza që Lluka i mohoi. Gjatë këtij viti ai krijoi edhe një kompani të re investimesh, Investia Holding, ku shërbente si kryetar dhe bashkëthemelues.

Në gusht të këtij viti Pacolli akuzoi Llukën se ishte përfshirë në raste të dyshuara për abuzime dhe keqpërdorim të detyrës, duke përmendur pagesa në vlerë prej mbi 1.5 milion eurosh, si dhe një rast tjetër në vitin 2025, ku sipas tij nga kompanitë e Grupit Mabetex ishin bërë pagesa prej rreth 1.6 milion eurosh për një kompani në Abu Dhabi, për shërbime që, sipas pretendimeve të tij, nuk ishin kryer.

Pacolli deklaronte gjithashtu se në Emiratet e Bashkuara Arabe po zhvilloheshin hetime ndaj Llukës lidhur me këto pretendime, si dhe për çështje të tjera që, sipas tij, lidhen me aktivitetet e tij në Mabetex.

“Për mashtrimet rreth Aeroportit të Vlorës, shpresoj se do të trajtohen nga gjykatat e Tiranës pa anshmëri. Në Kosovë po ashtu shpresoj të tregojë drejtësia (ashtu si në Emiratet e Bashkuara) dhe t’i hetojnë deri në fund të gjitha këto raste dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore për dëmin e shkaktuar nga këto veprime ilegale”, shkruante Pacolli.

About Krye Redaktor

Check Also

Incidenti në zyrë/ Skandali i Ramës me gazetarin amerikan

Rama ka ndërprerë komunikimin dhe ka braktisur në mënyrë të papritur intervistën përpara përfundimit të …