Bardhi e akuzoi Ballën se po mbron mazhorancën dhe korrupsionin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa i kërkoi të mos japë leksione për drejtësinë dhe SPAK-un.
Duke iu referuar votimit të 12 marsit, Bardhi tha se mazhoranca kishte dalë me 82 vota kundër SPAK-ut, sipas tij për të mbrojtur një zyrtare të korruptuar.
Bardhi: Kur dëgjova Taulant Ballën që erdhi këtu dhe tha: “Ne e mbështesim SPAK-un”, mendova se do të kërkonte falje për vendimin e 12 marsit, kur i dolët me 82 vota kundër SPAK-ut për të mbrojtur një të korruptuar, të cilën sot do ta sillni zvarrë nga palestra, sepse ju duhet vota e saj për të kaluar reformën territoriale.
Përpara se të na shesësh moral këtu, në këtë foltore, se sa e mbështesni ju SPAK-un, eja këtu dhe kërko falje. Eja këtu dhe mos i dil për zot vilave të Belindës, nga Dhërmiu në Itali e në Vjenë, dhe vetëm pasi ta bësh këtë, na jep leksione se çfarë duhet të bëjmë ne me prokurorët e SPAK-ut.
Dhe, e treta, po, ju jeni palë, siç e the, por Kuvendi i Shqipërisë nuk është palë.
Shumë nga kolegët këtu socialistë thonë: “Nuk jam palë.” Sepse nuk janë ekipi i Ergys Agasit. Nuk janë pjesë e ekipit të krimit të organizuar.
Po, disa prej jush janë palë, dhe ti bën shumë mirë që erdhe këtu dhe the: “Ne nuk mund të verifikojmë dhe të kërkojmë llogari për këtë çështje, sepse jemi palë.”
Je palë dhe shumë mirë që u dëshmove se je palë. Por Kuvendi i Shqipërisë dhe pjesa dërrmuese e këtyre deputetëve në këtë sallë nuk janë palë në këtë çështje.
Gazeta RD