Berisha: Ky është një parlament krimi, që nuk meriton të ekzistojë! Deputetët ranë tek këmbët e Padrinos!

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën socialiste se miratimi i reformës territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, u bë përmes presioneve dhe interesave personale të deputetëve.

Në deklaratën e tij, Berisha e cilësoi Kuvendin si parlament krimi dhe pretendoi se deputetët u shantazhuan e u kërcënuan për të votuar pro reformës.

Berisha mbrojti propozimin e PD-së për krijimin e të paktën 100 bashkive, ndërsa solli si shembuj Fushë-Arrëzin, Skraparin, Maliqin, Divjakën, Klosin dhe Prrenjasin, për të argumentuar se këto njësi kanë potenciale zhvillimi që, sipas tij, po shpërfillen.

Berisha: Historia e shkurtimit nga 410 bashki e komuna në 61 bashki e komuna, është historia e braktisjes masive të Shqipërisë rurale.

Investimet në Shqipërinë rurale, e cila ishte në raport me infrastrukturën në nivele mesjetare, para kësaj qeverie arritën në vlerën 3.2 miliardë.

U ndërtuan dhe u rindërtuan mbi 8500 kilometra rrugë.

U ndërtuan dhe u rindërtuan qindra e qindra sisteme kanalizimi dhe ujësjellës.

U ndërtuan në zonat rurale mbi 1 mijë objekte arsimore dhe qindra objekte shëndetësore.

Ky proces, në tërësi, u ndërpre në mënyrë dramatike.

Në rast se marrim investimet e kësaj qeverie në Shqipërinë rurale në 14 vite, ato janë më të pakta se sa investimi në pllakat e gurit në sheshin Skënderbej.

Edhe ato investime janë vjedhje masive.

Ndaj dhe, PD u angazhua që në fillim në këtë reformë, e bindur për rëndësinë e saj parësore për interesat e qytetarëve dhe komuniteteve.

Por, siç është bërë e qartë, kur në të gjitha konsultat pa përjashtim, qytetarët damkosën reformën e vitit 2014 si një reformë kundër interesave të tyre, dhe kur PD përgatiti projektin me së paku 100 bashki në mbarë vendin, Edi Rama u tërhoq nga procesi dhe arriti në këtë votë, më e turpshmja në historinë e vendit.

Dita e djeshme ishte dita e hanxharëve të krimit, ku deputetët merreshin peng si lepuj, ku ata shantazhoheshin, thirreshin, kërcënoheshin me pasoja të rënda familjare dhe personale.

A mund të imagjinoni ju se si deputeti i Fushë-Arrëzit voton për shkrirjen e Fushë-Arrezit, e cila për hir të së vërtetës ka qenë një qendër në rrugën që lidhte Shqipërinë me Kosovën, ka qenë një qendër në shekuj.

Dhe Fushë-Arrëzi e banorët e veriut ranë viktimë e tenderave të Tom Doshit, që e kam thënë dhe e them, se është një nga vampirët, bashkë me Vilma Nushin, e shëndetit të shqiptarëve.

Deputetë të tjerë, ai i Skrapit që ndërton hotele luksoze në bregdet, po ai shet çdo gjë, ata janë tregtarë të pamoral, të turpshëm.

Ata mbrojnë pronat e tyre të krimit, kanë mbrojtur pronat e tyre të krimit.

Deputeti i Maliqit, Maliqi një bashki me të gjitha potencialet për të qenë e tillë, për të qenë një qendër e fuqishme zhvillimi e rajonit.

Po Divjaka me pasuritë e saj të pafundme, më të mëdha se bashkia me të cilat u bashkua.

Po, potencialet e Divjakës janë më të mëdha sepse Divjaka ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm.

Klosi, bashki në territorin e të cilës janë depozita botërore kromi.

Përrenjasi, bashki në të cila janë depozita botërore hekuri dhe nikeli.

Pra të gjitha këto u shkelmuan nga individë, nga burra dhe gra mercenarë të vërtetë, të turpshëm.

Ky është një parlament krimi, që nuk meriton të ekzistojë asnjë orë, asnjë ditë.

Deputetët ranë tek këmbët e Padrinos dhe të narko-trafikantit Taulant Balla.

Nuk bëhet fjalë për nder dhe dinjitet, por pa asnjë interes tjetër përveç interesave të tyre vetjake, personale dhe familjarëve natyrisht.

About Redaksia

Check Also

Alimehmeti: Rama kalon reformën territoriale kundër vullnetit të qytetarëve dhe paralajmërimeve të Këshillit të Europës! 8 probleme madhore

DEKLARATË PËR MEDIA, DREJTUESI I DEP. TË SHËNDETËSISË NË PD, ILIR ALIMEHMETI Të nderuar qytetarë, …