Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëlljnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në brrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar

Nga Andi Bushati

Pavarësisht se Edi Rama demostroi një fuqi numerike jashtë normales duke votuar reformën teritoriale me një shumicë të cilësuar, një gjë është e qartë: ai ka hyrë në vjeshtën e pushtetit të vet.

Përtej atyre 85 votave që duket sikur e bëjnë të pathyeshme fuqinë e tij, ka disa detaje që tregojnë se diçka është krisur në mënyrë të pakthyeshme. Deputetë që deri dje ai i shtypte si minj apo që e shihnin me admirimin e një heroi të kombit, tani i hedhin vickla. Ai e ka bërë zakon të ngrihet afër mesnatës, duke duruar dhe vezët dhe ujin, pasi ka nevojë edhe për votën e tij. Edhe Belinda Balluku që, pas atyre që kanë dalë, ka turp të shfaqet në publik, detyrohet të shkojë me një këmbë të ngrejë katronin në parlament.

Por, shenjat e para të brerjes së pushtetit nuk duken vetëm brenda partisë, që ai vijon ta sundojë me dorë të çeliktë. Vala e zemërimit me deputetët socialistë, që nuk dalin dot më në pazar pa truproja të pa shoqëruar nga thirrjet “Turp…”, “Haajdutë…” apo goditjeve simbolike, tani ka prekur edhe atë vetë. Si asnjëherë më parë, dikush i godet me vezë Mercedesin luksoz, një grup qytetarësh i bllokojnë rrugën për në selinë e Kayos, ndërsa një tubim studentor e bën të anullojë inagurimin e vitit të ri shkollor.

E gjitha kjo falë një proteste që zgjat prej katër muajsh e që përpos dorëheqjes së tij, kërkon as më pak, por dërgimin e tij në burg si një kryeministër i korruptuar.

“Revolucioni i flamingove”, të cilit që prej ditës së parë i kanë parathënë tkurrjen, ka prodhuar dy efekte të mëdha. Së pari, ai duket se i ka dhënë hov SPAK-ut dosjet e të cilit tashmë e kanë telendisur legjitimitetin e këtij pushteti. Për dhënien e tenderave me telefon nga Belinda Balluku, që si ç’po del i kanë sendërzuar efektet e tyre me vila në bregdet, nuk mund të thuhet më “ka vepruar pas shpinës së shefit”. Për lidhjen me “shpirt & zemër” të Vlora Hysenit me dashnorin e verave 33 mijë euroshe, kryeministri nuk mund të lajë duart sikur nuk kishte djeni. Për llahtarinë e vjedhjeve në AKSH, të shoqëruara me rrëmbime personash për të cilat bashkëpunonte policia, nuk mund të zhvishet nga përgjegjësia kupola e kësaj bande.

Duket sikur një dorë e padukshme ka trimëruar edhe prokurorët specialë të programuar deri më tani si leva kundër opozitës, të ndërmarrin veprime deri dje të pa imagjinueshme. A mundej kush të besonte, pak kohë më parë, që SPAK të trokiste me urgjencë në derën e mikut hebre të Ramës, Rony Yeffet, vetëm pas një përgjimi të publikuar nga një armik i tij i klasit të parë si Arben Ahmetaj dhe të publikuar në të vetmin TV të opozitës si Syri?

Një imagjinatë e frymëzuar nga teoritë kompotiste do të shikonte pas rasteve si ky, ose atij të arrestimit të shefes së shërbimit sekret, një dorë të parterëve të huaj, por edhe pa pasur fakte për këtë, një gjë e tillë është e mjaftë për të dëshmuar se frika për të gërmuar përreth kopshtit privat të Edi Ramës tani ka rënë.

Efekti i dytë i “Revolucionit të flamingove” është drita katërcipërisht e ndryshme me të cilën po e sheh Edi Ramën shtypi ndërkombëtar. Atij tashmë i është bërë zakon të humbë toruan, të ngrihet i nervozuar dhe të lërë përgjysëm intervistat, siç ndodhi së fundi me gazetarin Andrew Callaghan të Channel 5. Dhe arsyeja kuptohet lehtësisht. Sepse ai të cilin për 10 vite e kishin pikturuar me ngjyrat e politikanit artist atipik, tani po e përshkruajnë si një kapobandë të lidhur me krimin e organizuar që e ka bërë vendin lavatriçe të parave të drogës, deri në atë masë sa edhe dhëndërrin e presidentit të SHBA-së e detyroi të ngatërrohet me një të dyshuar si narkotrafikant.

Të gjitha këto sëbashku, nga zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, nga qytetarët që e fishkëlljnë në rrugë, nga prokurorët e trimëruar dhe gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin, tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Ai mund ta ruajë shumicën me 85 vota në kuvend, mund të vijojë të miratojë dhurata për investororët strategjikë dhe të firmosë kulla në mes të parqeve, por tashmë përreth tij ka kapluar atmosfera e një fund regjimi.

Natyrisht, një gjë e tillë, as nuk do të thotë se prej tij do të shpëtojmë shumë shpejt dhe as se ai nuk do të vazhdojë të dhurojë llokma Shqipërie për ta zgjatur agoninë e vet. Por, për një gjë tashmë janë të qartë të gjithë: rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar. Edhe për ata që, për interes, duan ta shikojnë ende në pushtet, fabula e pastërtisë apo ndërshmërisë së tij është aq e pabesueshme, sa po i përsërite dikujt atë shprehjen e famshme “të birit të nënës apo të kurvës që si kërkon dot paratë në xhepin e kryeministrit”, nuk ta kthejnë më të nervozuar, por shpërthejnë në një gaz të shfrenuar./lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Faleminderit që më shpëtuat nga Kushtetuta!

Nga Lutfi DERVISHI Letër mirënjohjeje e Diellës për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Të nderuar gjyqtarë …