Berisha sjell shembujt: Të krahasosh Partinë Demokratike me Partinë Socialiste, krahason të pakrahasueshmet!

Sabian Maho: Shumë qytetarë thonë se janë zhgënjyer nga të gjitha partitë dhe se nuk besojnë më te premtimet politike. Çfarë do t’u thoshit këtyre njerëzve dhe çfarë jeni gati të bëni konkretisht për të rikthyer besimin e tyre?

Sali Berisha: Së pari, unë ftoj qytetarët të ndalen në disa krahasime. Unë e kuptoj se qeverisja e para 14 viteve është një qeverisje e largët, dhe koha për memorien është një lloj acidi që e fshin. Megjithatë, të krahasosh Partinë Demokratike me Partinë Socialiste, krahason të pakrahasueshmet.
Partia Demokratike është forca politike që përmbysi diktaturën komuniste dhe anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës. Partia Demokratike është forca politike që e larguan nga pushteti me rebelim komunist dhe e rimori pushtetin me votën e lirë të shqiptarëve.
Partia Demokratike është forca politike, e cila në 8 vite mbajti pikë për pikë zotimet e saj. Unë ju lutem rikthehuni dhe lexojini.
Kur ne premtuam dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, ju garantoj se ishin shumë të paktë ata që e besonin. Por ne e zbatuam dhe e tejkaluam këtë angazhim.
Në rast se dëshironi, ju mund të konsultoni një dokument të Boston Consulting Group të vitit 2012. Ky dokument ka parathënien e Tony Blair. Në këtë dokument, grupi i Universitetit të Bostonit studion 150 vende të botës dhe studion ndër të tjera se si janë konvertuar në këto vende, rritja ekonomike (kjo që themi 5%, 3% e ekonomisë, e PBB-së) në mirësi, në mirëqenie për qytetarët.
Çfarë gjen ky grup, që unë kurrë s’e kam takuar? Ky grup gjen se Shqipëria për këtë tregues renditej e katërta në botë.
Shqipëria renditej e katërta në botë, të dashur miq, vetëm e vetëm se kjo parti në pushtet mendonte se si t’ua kthejë qytetarëve pasuritë e tyre, paratë e tyre, fondet e tyre, dhe një nga mënyrat më të sigurta ishte t’ua rrisje rrogat, t’ua rrisje pensionet, të rrisje ndihmën ekonomike.
Nuk e di, por unë në ato vite nuk di një vend tjetër në botë (mund të ketë se bota është e madhe), por unë nuk di që të ketë dyfishuar rrogat, të ketë mbidyfishuar rrogat dhe pensionet siç bëmë ne në 8 vite. Dhe unë të garantoj se ne do vazhdonim me rritje të pandërprerë të rrogave dhe pensioneve.
Ne tejkaluam të gjashtë vendet e rajonit për rroga dhe pensione, përfshi këtu dhe dy vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, Bullgarinë dhe Rumaninë.
Po pse e bëmë ne këtë? E bëmë ne këtë se është detyrim madhor ndaj çdo njeriu që mendon me zemër, me shpirt për qytetarët. T’i mbledhësh taksat që t’ua kthesh atyre, do t’ua shpërndash atyre në rroga, pensione.
Jo vetëm kaq, nuk e zumë vendin e katërt në botë vetëm për rrogat dhe pensionet, jo. U rreshtuam sepse ndërtuam në mbarë vendin 11,300 kilometra rrugë, nga të cilat mbi 8,500 rrugë në Shqipërinë rurale, në komunitetet.
Ua kthyem shqiptarëve paratë e tyre me ndërtimin e 1,300 shkollave, kopshteve dhe objekteve arsimore.
Ua kthyem shqiptarëve paratë e tyre me qindra e qindra kanalizime dhe ujësjellësa.
Të gjitha këto bënë që ky grup prestigjioz i njërit prej universiteteve më të njohura në botë të kualifikojë, të rendisë Shqipërinë vendin e katërt në botë në treguesin apo në koefiçentin e rikthimit të rritjes ekonomike në të mira publike. Le të marrim pak sot rrogat dhe pensionet.
Sot rrogat dhe pensionet janë më të ulëtat në rajon. Më të ulëtat se në çdo vend tjetër. Përveç, rrogave të zyrtarëve të lartë që janë më të lartat në rajon.
Të shkojmë pak më tutje, meqë jemi në këtë temë.
Çfarë u ndërtua në 12 vite në interes të komuniteteve? Janë ndërtuar 800 kilometra rrugë që të gjitha u shembën. Dhe jeni dëshmitarë. Po pse u shembën? Sepse kanë vjedhur fondet dhe i kanë ndërtuar si prej kashte.
Edhe tani rritja ekonomike thonë është 3%, është 4%… po ku shkon kjo rritje kur pensionet dhe rrogat mbeten në fund të rajonit? Kjo rritje shkon tek oligarkët, shkon tek qeveritarët që vjedhin ditën e natë taksat dhe pasuritë publike.
Miq, dua t’u rikujtoj, nuk duhet të krahasoni të pakrahasueshmet. Nuk dua të gjej historia ç’ka u bë, unë po ua them demokratëve çdo ditë që ne nuk na voton kush për ato që kemi bërë, por për t’i njohur ato është e domosdoshme të përcaktojmë ku do shkojmë.
Unë mora këtë aspekt, por të marr një aspekt tjetër, çmimet. Cilat ishin çmimet në vitin 2013? Më të ulëtat në rajon. Sot çmimet janë jo më të lartat në rajon, por janë më të larta se në vendet më të pasura të Evropës.
Isha në Strasburg, Strasburgu të dashur miq është një nga zonat me nivel më të lartë ekonomik në Evropë në jetesë. U futa në një supermarket, pashë çmimet, absolutisht një seri artikujsh me çmime dy herë më të lira se në Shqipëri. Imagjino rrogat e qytetarëve të Strasburgut që janë të paktën pesë herë më të larta.
Pra, a mund të krahasohen këto? Janë të pakrahasueshme.
Ne premtuam anëtarësimin në NATO, e bëmë realitet.
Projektet e mëdha, kaskada e Devollit, janë kontrata të firmosura nga qeveria e Partisë Demokratike.
Nuk kanë asnjë investim në 14 vite serioz nga kompani të huaja apo kontratë të firmosur. Sepse e kanë bërë Shqipërinë vend të papranueshëm për investitorët dhe biznesmenët e huaj.
A e keni dëgjuar historinë e gazit të Delvinës? Një kompani apo disa kompani kanë investuar qindra milionë në gazin e Delvinës. Kurse Ron Yeffeti i Ramës, i thotë në telefon ‘duhet t’ua marrim atyre’. Po meqenëse është një amerikan aty, ‘duhet të gjejmë një amerikan’, thotë ai, ‘sa për të thënë që po zëvendësojmë’.
Mos i krahasoni.
Kur është penguar ndonjëherë drejtësia të veprojë nga qeveria e Partisë Demokratike? Ju lutem, mos harroni një gjë. Në vitin 2012 ne votuam ligjin për heqjen e imunitetit për veprën e korrupsionit për deputetët. Sa herë kërkoi prokuroria e famshme Ina Rama, heqje imunitetesh, as që është vënë ndonjëherë në diskutim nga parlamenti mbrojtja e imunitetit i deputetëve.
Pra, besoj se ne ato që kemi premtuar i kemi mbajtur. Dhe u garantoj se ne, thashë edhe një herë, nuk kërkojmë votë për ato që kemi bërë, kërkojmë votë për ato që do të bëjmë.
Kërkojmë votën sepse Shqipëria sot është në emergjencë, ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Sirenat e varfërisë, e skamjes, e urisë, e mungesës së ilaçeve, jehojnë në të katër anët e vendit.
Partia Demokratike ka një program për t’i shuar ato me shpejtësinë më të madhe.
Minimumin jetik 200 euro, rimarrja e programit për rritjen e rrogave dhe pensioneve për dyfishimin e tyre dhe vazhdimin, gjer sa të dalim në krye të rajonit.
Një klimë për biznesin, ku konkurrenca e lirë dhe ligji të dominojë. Zero tolerancë ndaj krimit dhe drogës.
Ne do çmontojmë klanet e drogës kudo që të jenë.
Unë i garantoj ata se edhe në pyjet e Kolumbisë do t’i gjejmë, t’i arrestojmë e t’i biem para ligjit, jo më në Shqipëri.
Nuk do ketë vrimë miu ku nuk do t’i kapim, t’i gjejmë këta kriminelë që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare me larjen e parave me Edi Ramën në Shqipëri.
Pra, janë shumë të ndryshme. Dhe krahasimin që bëni ju, e keni të drejtë, dëgjoni krahasime. Janë opozita e opozitës që bën krahasime të tilla, e cila është një shërbëtore e shpifur e Edi Ramës.
Janë disa individë, të cilët pasi dështuan në të gjitha projektet për nënshtrimin e Partisë Demokratike, tani u nënshtruan në çakej dhe flasin pas shpine dhe bëjnë krahasime të pakrahasueshmet.
Por sot, çdo ditë e më shumë shqiptarët po kuptojnë se cila është qeveria e krimit e Edi Ramës dhe cila është opozita e vërtetë, e vendosur e shqiptarëve, Partia Demokratike e aleatët e saj.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ata qytetarë që mendojnë se opozita është palë i bëjnë një shërbim të turpshëm Edi Ramës

Aurel Lazri: Gjatë debatit për reformën territoriale të së enjtes pati tensione, bllokim të foltores …