Nga Atird Hoxha – Anëtar i Kryesisë së PDSH
Një pakicë e verbuar edhe mund ta besojë që Rama është vërtet një “Luan”.
Por ky është problemi më i vogël, pasi edhe nëse ka nga ata që e besojnë, numri i tyre, jam i sigurt, pakësohet çdo ditë, derisa të mbetet i vetëm në delirin e tij.
Ajo që duhet të na shqetësojë është se, nën presion dhe kërcënime, para dhe pas kuintave, brenda pak muajsh, me një qëndrim të njëanshëm të shumicës parlamentare, në kundërshtim me Kushtetutën, u zhbënë 15 bashki. Midis tyre, Bashkia Selenicë.
Por kush e mundësoi këtë?
Një dhe vetëm një emër ka e gjithë kjo: Edi Rama. Ai, me këtë, tregoi edhe një herë se urren jo vetëm Vlorën dhe vlonjatët, për të cilët është shprehur qartësisht disa herë, por edhe zonën e “Lumit të Vlorës” dhe banorët e saj, ku shtrihet edhe Bashkia Selenicë, tashmë e fshirë nga harta.
Por po aq e vërtetë është se Edi Rama i vetëm nuk do të mund të bënte asnjë nga të këqijat që i ka bërë jo vetëm Vlorës, por të gjithë Shqipërisë.
E, për ta konkretizuar pak, dje, midis atyre që e shohin Ramën si “Luan”, nga “halli” apo nga “malli”, për fat të keq u bashkua edhe deputeti i qarkut Vlorë, Vullnet Sinaj. Them u bashkua, pasi unë e kisha dëgjuar me zë dhe figurë z. Sinaj të shprehej se ishte kundër bashkimit të Bashkisë Selenicë me Bashkinë Vlorë.
Ndërkohë, dje, rreth orës 01:14 pas mesnate, u ndezën dritat e vendeve ku ulen në Parlament zotëria në fjalë dhe kolegët e tij, Spiroplai dhe Barçe, të cilëve duhet t’u kujtohet se, politika nuk matet me atë që thua, por me atë që voton kur vjen momenti për të mbajtur përgjegjësi.
Por, për t’u kthyer te çështja, mendoj se banorëve të asaj zone, me shkrirjen e Bashkisë, u është bërë një padrejtësi e madhe, e cila të paktën nuk duhet të kishte mbështetjen e askujt, e jo më votën e deputetit që e etiketojnë apo vetëquhet deputeti i “Lumit të Vlorës”.
Të votosh që kjo zonë të humbasë vëmendjen administrative do të thotë të mos kuptosh vlerën dhe potencialin e saj.
Prova e qartë se si i bën reformat Rama dhe Partia Socialiste është reforma e vitit 2014, nga e cila u premtuan efikasitet, ulje të kostove administrative dhe përmirësim i cilësisë dhe aksesit në shërbimet për qytetarët.
Asnjë prej këtyre objektivave nuk u realizua. Kjo tregon se reforma nuk arriti qëllimet për të cilat u hartua dhe u zbatua.
Për këtë, prova e vërtetë janë njësitë që iu bashkëngjitën Bashkisë Vlorë. Sot miratohet që Bashkisë Vlorë t’i shtohet edhe një tjetër sipërfaqe territori, praktikisht duke e dyfishuar atë. Imagjinoni sa efikase do të jetë!
Një shembull konkret është fshati Bashaj, i cili ndodhet një orë e tridhjetë minuta larg qytetit të Vlorës me rrugë automobilistike dhe, rrjedhimisht, larg edhe godinës së Bashkisë Vlorë.
Është për t’u vlerësuar qëndrimi i të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak Selenicë, të cilët e refuzuan këtë maskaradë, si dhe qëndrimi i të gjithë banorëve që e kundërshtuan unanimisht në të gjitha dëgjesat publike. Po ashtu, duhen vlerësuar shoqatat që u shprehën kundër shkrirjes së Bashkisë Selenicë.
Por dy fjalë kam edhe për deputetin Sinaj.
Të jesh Lab, në moshën tënde, me bizneset e tua, dhe të japësh votën pro për të zhbërë Bashkinë Selenicë, është, për mua, çmenduri. Po të isha në vendin tënd dhe të më kërkohej nga kryetari i partisë sime një gjë e tillë, më e pakta që do të bëja, do të ishte të lija mandatin e deputetit dhe të shikoja punën time.
Pas tre mandatesh si deputet, një pyetje kam për z. Sinaj, si dhe pse ndryshove mendje për këtë çështje?
Sikundër, nuk duhet të harrojmë t’i trajtojmë si besëprerë të gjithë deputetët e Partisë Socialiste, të cilët, me votën e tyre pro shkrirjes së Bashkisë Selenicë, kanë tradhtuar çdo votë që banorët e zonës u kishin besuar për të mbrojtur interesat e tyre në Parlamentin e Shqipërisë.
Koha ka treguar se për deputetët e Partisë Socialiste, Selenica, Vlora dhe Shqipëria vijnë pas Partisë Socialiste.
Gazeta RD