Deputetët e PD, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi, kundërshtojnë kërkesën e Partisë Socialiste për masa disiplinore ndaj Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut, duke e cilësuar atë të pabazuar në ligj dhe në Rregulloren e Kuvendit. Në qëndrimin e tyre në Këshillin e Etikës, ata argumentojnë se veprimet e pretenduara nga socialistët parashikohen nga një dispozitë që lejon përjashtimin deri në 10 ditë, dhe jo deri në 60 ditë kalendarike.
Në dokumentin e paraqitur në Këshillin e Etikës, Korreshi dhe Himçi analizojnë pretendimet e grupit parlamentar të PS-së ndaj dy deputetëve të opozitës, lidhur me incidentet e ndodhura gjatë seancës plenare.
Sipas kërkesës së socialistëve, Gazment Bardhi akuzohet se ka përdorur gjuhë fyese ndaj drejtuesve të institucioneve dhe deputetëve të mazhorancës, si dhe ka hedhur shishe uji në drejtim të tyre. Ndërsa Klevis Balliu akuzohet se ka hedhur vezë drejt Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, si dhe ka përdorur një pajisje zhurmuese në sallën e Kuvendit.
Për këto veprime, grupi parlamentar i PS-së kërkon marrjen e masave disiplinore, duke i klasifikuar ato si shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.
Por, në qëndrimin e tyre, përfaqësuesit e PD-së kundërshtojnë bazën ligjore mbi të cilën është mbështetur kërkesa, duke iu referuar nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton shkeljet disiplinore dhe masat përkatëse.
Sipas Korreshit dhe Himçit, pika 1 e këtij neni parashikon përjashtimin nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë kalendarike për veprime të tilla si pengimi i zhvillimit normal të seancës, shkaktimi i kaosit, fyerjet, kërcënimet apo dhuna ndaj deputetëve, drejtuesit të seancës dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Ndërsa masa deri në 60 ditë kalendarike, e parashikuar në pikën 7 të të njëjtit nen, lidhet me përdorimin e lëndëve apo mjeteve piroteknike, tymuese, bojërave dhe materialeve ose mjeteve të tjera të ngjashme brenda mjediseve të Kuvendit.
“Dënim pa ligj, si në kohën e komunizmit”, e cilësojnë dy deputetët e PD-së kërkesën e socialistëve, duke argumentuar se nuk ka pretendime për përdorimin e mjeteve të parashikuara në pikën 7 të nenit 65/1.
Sipas tyre, veprimet e përshkruara në kërkesën e PS-së, pavarësisht pretendimeve për pengim të seancës, shkaktim kaosi, fyerje apo hedhje sendesh, mund të klasifikohen në fushën e veprimit të pikës 1 të këtij neni. Për këtë arsye, argumentojnë ata, masa disiplinore nuk mund të kalojë 10 ditë kalendarike.
Korreshi dhe Himçi nënvizojnë gjithashtu se sesioni i ri parlamentar ka nisur më 8 shtator 2026 dhe, sipas dokumentit të tyre, ndaj Bardhit dhe Balliut nuk rezulton të jenë marrë masa të tjera disiplinore gjatë këtij sesioni. Për rrjedhojë, sipas tyre, nuk plotësohen as kushtet për zbatimin e dispozitave që lidhen me përsëritjen e shkeljeve.
Në përfundim, deputetët e PD-së e cilësojnë kërkesën e grupit parlamentar të PS-së të pabazuar në ligj dhe në Rregulloren e Kuvendit, duke kërkuar rrëzimin e saj. Sipas tyre, kërkuesit nuk kanë bërë klasifikimin e duhur të shkeljeve dhe të sanksioneve, në raport me veprimet që pretendojnë se kanë kryer dy deputetët e opozitës.
Gazeta RD