Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi protestën e sotme si natën e dhunës më të egër të regjimit ndaj studentëve që nga dhjetori i vitit 1990.
Berisha akuzoi Edi Ramën se ka tejkaluar dhunën e regjimit të Ramiz Alisë ndaj studentëve, duke theksuar se gjatë protestës u dhunuan barbarisht të rinj, qytetarë dhe gazetarë në krye të detyrës.
Kreu i PD u shpreh se Rama zgjodhi dhunën përballë revoltës studentore, e cila mori edhe mbështetjen e qytetarëve.
Deklarata e Kryetarit të PD, Sali Berisha
Dita e sotme dhe nata ishin dita e dhunës më të egër shtazore të regjimit ndaj rinisë studentore që nga dhjetori ’90 e gjer sot.
Sot ‘Padrino’ i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtroi ndaj studentëve në protestë paqësore, dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90 ndaj studentëve çlirimtarë.
Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetare dhe gazetarë që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare.
U thyen gjymtyrët, u gjakosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks dhe në gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste.
Dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrët, në kohë kur ai nuk po kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt, dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre.
Të tjerëve, banorëve, u kanë hedhur në ballkon bomba të gazit.
Gazetarëve të tjerë u kanë çarë kokën. Situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë. Protesta studentore e thirrur nga studentët dhe sindikata e universiteteve mori mbështetje të gjerë popullore nga qytetarët.
Dhe Edi Rama, i tmerruar, zgjodhi dhunën e egër ndaj studentëve. Shprehu urrejtjen e tij të pakufishme ndaj tyre.
Gazeta RD