Shkrirja e bashkive/ Reagon PD Vlorë: Reformë që nuk i shërben komuniteteve tona!

Deklaratë e Partisë Demokratike, Dega Vlorë:

Qytetarë të Vlorës, bashkëqytetarë të Labërisë, të Orikumit, të Novoselës e të Selenicës,

Ju drejtohemi sot për të denoncuar një vendim, pasojat e të cilit do ti ndjejë çdo familje. Shumica parlamentare, javën e kaluar miratoi ligjin për reformën administrativo-territoriale me arrogancën e numrave, pa i dëgjuar njerëzit që ky ligj i prek drejtpërdrejt në jetën e tyre.

Një reformë territoriale nuk duhet të kuptohet si vija mbi hartë. Ajo vendos se kush të përfaqëson, kush të dëgjon dhe sa larg ose sa pranë teje qëndron pushteti vendor. Një ligj i tillë kërkon bisedë me njerëzit, durim për t’i dëgjuar dhe kohë për të pranuar kundërshtimet. Shumica zgjodhi rrugën më të shkurtër: dorën e ngritur dhe votën e urdhëruar.

Prandaj, në emër të Degës së Partisë Demokratike në Vlorë, e themi hapur: ne e refuzojmë këtë ligj. Nuk e konsiderojmë të drejtë, nuk e shohim si të dobishëm për qytetarët dhe nuk e quajmë të ndershëm ndaj tyre.

Ne i qëndrojmë plotësisht projektit të Partisë Demokratike, që parashikon ndarjen e Shqipërisë në 100 bashki. Filozofia e këtij projekti është e thjeshtë: pushteti vendor duhet të jetë sa më afër banorëve. Kur përfaqësimi është i afërt, zëri i komunitetit dëgjohet dhe problemet nuk humbasin nëpër zyra të largëta.

Dhe këtu në Vlorë, pasojat nuk janë teorike.

Shpërbërja e Bashkisë së Selenicës është një plagë e hapur. Selenica ka historinë, identitetin, ekonominë dhe njerëzit e vet. Kur shuhet një bashki, nuk fshihet vetëm një emër nga lista. Shuhet një zë, një derë ku njerëzit mund të trokasin, një përfaqësim që e ndiente komunitetin si të vetin. Pyesim: kujt i shërben kjo? Cilët nga banorë të selenicës u pyetën? Me çfarë arsyetimi deputeti i zonës do dali para tyre drejpërdrejt dhe sy më sy?

Po aq i rëndë është refuzimi i kërkësave të komuniteteve për të rikthyer bashkitë e Orikumit dhe të Novoselës. Këto komunitete kërkuan të kishin përfaqësimin e tyre dhe ta drejtonin vetë fatin e tyre , ashtu siç kanë bërë deri në vitin 2015. Përgjigja që morën ishte mohimi. Kështu, ata mbeten larg vendimmarrjes dhe humbën besimin se interesat e tyre do t’i mbrojë dikush që i njeh nga afër.

Deputetët e Partisë Socialiste votuan PRO këtij ligji duke i kthyer shpinën zgjedhësve që u dhanë besimin. E votuan me urdhër të Kryetarit të Partisë jo sipas ndërgjegjes dhe sipas interesit të njerëzve që përfaqësojnë. Kjo është tradhti ndaj zgjedhësit që të ka besuar dhe të ka dhënë votën. Një deputet nuk zgjidhet për të zbatuar komanda, por për të mbrojtur komunitetin që e dërgoi në Kuvend.

Kush heshti, ngriti dorën dhe e firmosi këtë reformë do ta mbajë edhe përgjegjësinë përpara qytetarëve. Disiplina partiake nuk është strehë.

Pasojat e këtij ligji, në thelb, janë të qarta: përfaqësim më i largët, zë më i dobët për komunitetet e vogla, më pak shanse që problemet vendore të dëgjohen aty ku merren vendimet. Kur një qytetar humb bashkinë e tij, ose i mohohet e drejta për ta pasur, ai ndihet më pak i dëgjuar. Kjo është e papranueshme.

Prandaj sot ju bëjmë një thirrje.

Flisni, mos lini që heshtja të mbulojë padrejtësinë. Mblidhuni në komunitetet tuaja, shprehni qëndrimin tuaj me kuvende, me peticion, me referendum, me protestë paqësore dhe me çdo mjet që ligji ju njeh. Bëni që zëri juaj të dëgjohet nga institucionet dhe kërkoni llogari nga ata që ju përfaqësojnë. Mbrojtja e përfaqësimit vendor është e drejta dhe detyra jonë.

Dega e Partisë Demokratike në Vlorë do të jetë pranë jush në çdo hap të kësaj rruge, me fjalë, me prani dhe me punë.

Vlora, Labëria, Orikumi, Novosela dhe Selenica nuk janë hapësira boshe në një hartë. Janë njerëz, histori dhe e ardhme. Askush nuk ka të drejtë t’ua heqë atë që u përket.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Protesta e studentëve/ Policia largon mediat nga Ministria e Arsimit

Pasi shpërndarjes së studentëve nga shpërbërjen e protestës para Ministrisë së Arsimit, policia largoi nga …