Babai denoncon dhunën ndaj djalit 15-vjeçar në komisariat: Prej 11 orësh e mbajnë pa bukë e ujë

Një tjetër denoncim për dhunë të pretenduar policore ndaj të miturve është bërë publik në SYRI TV. Aurel Lutaj, babai i një 15-vjeçari që mëson në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, pretendon se i biri është keqtrajtuar nga efektivët pas shoqërimit të tij gjatë protestës së studentëve në Tiranë.

Në një intervistë me gazetaren Armela Ferko, Lutaj tha se djali kishte dalë në protestë së bashku me shokët dhe shoqet e klasës. Sipas tij, i mituri nuk kishte ushtruar dhunë dhe as nuk ishte përpjekur t’i shmangej policisë.

Babai pretendon se gjashtë efektivë kanë goditur të birin në komisariat, ndërsa shprehu shqetësimin edhe për mënyrën se si është trajtuar gjatë shoqërimit.

“Gjashtë burra aty me një fëmijë 15 vjeç, duke goditur djalin, vetëm atje në komisariat”, deklaroi Lutaj, duke kërkuar që institucionet të marrin masa për të parandaluar dhunën ndaj të miturve.

Sipas rrëfimit të tij, i ati është njoftuar për shoqërimin e të birit ndërsa ndodhej në punë. Ai tha se është nisur menjëherë drejt komisariatit, por gjatë ndjekjes së rastit ka mësuar se djali ishte transferuar në disa struktura policore.

“Kanë qenë këtu tek 21-shi, pastaj e kanë çuar atje tek 4-ra, tani e kanë çuar te 3-shi”, u shpreh ai, duke shtuar se në momentin e intervistës kishte kaluar rreth 11 orë nga shoqërimi i të miturit.

Lutaj pretendoi gjithashtu se familjarët nuk kishin marrë informacion të mjaftueshëm për gjendjen e djalit dhe se nuk ishin lejuar ta takonin. Ai deklaroi se i biri ishte mbajtur pa ushqim dhe ujë dhe se kishte shenja të dukshme të keqtrajtimit.

Gjatë intervistës, Lutaj këmbënguli se djali i tij kishte marrë pjesë në protestë në mënyrë paqësore. Ai tha se edhe nxënës të tjerë të klasës kishin shkuar për të dëshmuar se kishin qenë së bashku me të miturin, por, sipas tij, deklarimet e tyre nuk ishin pranuar.

Gazetarja ngriti gjithashtu shqetësimin për respektimin e procedurave që zbatohen kur shoqërohen të mitur, përfshirë praninë e personave përgjegjës për mbrojtjen e tyre.

Në fund të intervistës, babai iu drejtua institucioneve me kërkesën që të ndalet përdorimi i dhunës ndaj fëmijëve.

“Jo të krijojnë dhunë, gjashtë veta të më qëllojnë mua djalin, 15 vjeç djali. Kjo është shumë e turpshme”, deklaroi ai.

Deri në momentin e publikimit të këtij denoncimi, në materialin e transmetuar nga SYRI TV nuk paraqitet një reagim i policisë lidhur me pretendimet e babait.

About Redaksia

Check Also

I vihet zjarri Ministrisë së Financave

Ministria e Financave është përfshirë nga flakët gjatë protestës së sotme në Tiranë, ndërsa situata …