LE MONDE: Protesta antiqeveritare në Tiranë, kërkohet largimi i kryeministrit Rama

Protestuesit dhe policia u përleshën të mërkurën, më 14 tetor, në Tiranë, ku u shkaktuan disa zjarre, gjatë ditës së dytë radhazi të dhunës pas tubimeve të studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Njësitë e policisë për ndërhyrje të posaçme përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës në përpjekje të përsëritura për të zmbrapsur turmën, e cila përbëhej nga disa qindra persona. Ndërkohë, protestuesit vunë në shënjestër Ministrinë e Arsimit dhe disa biznese, duke thyer vitrinat.

Një natë më parë, ndërtesave qeveritare u ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe më shumë se 12 persona ishin arrestuar, njoftoi policia. Sipas saj, disa persona kishin thyer dyert e bashkisë, kishin ndezur zjarr brenda saj dhe kishin dëmtuar ndërtesa të tjera.

Të mërkurën, gazetarët e Agjencisë France-Presse panë protestuesit duke hedhur sende të forta, veçanërisht gurë kalldrëmi dhe kokteje Molotov, duke u vënë flakën kazanëve të plehrave dhe duke ngritur barrikada përgjatë një rruge kryesore në qendër të kryeqytetit shqiptar, pranë Ministrisë së Arsimit.

16 persona të shoqëruar

Gazetarët panë dy persona që u ngjitën mbi murin e ndërtesës ku ndodhet Ministria e Arsimit dhe hodhën bomba tymuese brenda saj. Shumë prej dritareve të ndërtesës ishin thyer një ditë më parë, gjatë një proteste.

Pak më vonë, nga një dritare doli një re e dendur tymi të zi. Më pas ndërhynë zjarrfikësit, të cilët arritën t’i shuanin shpejt flakët.

Të martën, qindra persona ishin mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe më shumë ndihmë për studentët. Forcat e rendit kishin shoqëruar 16 persona.

Policia deklaroi se efektivët e saj ishin përballur atë ditë me “dhunë të vazhdueshme”. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të martën morën ndihmë mjekësore tetë protestues, gjashtë policë, tre gazetarë dhe dy kalimtarë, ndër të tjera për shkak të gazit lotsjellës.

Bashkimi Evropian (BE), anëtarësimin në të cilin synon Shqipëria, shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi si “përshkallëzim të dhunës”.

“Kemi marrë dijeni për pretendimet lidhur me përdorimin e tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve”, deklaroi delegacioni i BE-së në Tiranë. Duke kërkuar një hetim, ai u bëri thirrje “të gjitha palëve që të ulin tensionet”.

Këto akte dhune vijnë pas më shumë se katër muajsh protestash kundër qeverisë, të nxitura nga një projekt për ndërtimin e një hoteli luksoz në një rezervat natyror bregdetar. Projekti lidhet me Ivankën, njërën nga dy vajzat e Donald Trumpit, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Ky projekt ka nxitur zemërim për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe mungesës së transparencës.

Studentët iu bashkuan këtyre kërkesave, ndërsa u shpjeguan mediave shqiptare se tubimi i së martës synonte të denonconte kushtet në universitete, tarifat e studimit dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë.

About Redaksia

Check Also

Deklarata e grupit parlamentar të PD/ Rama të japë dorëheqjen, Parlamenti të shpërndahet

DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE Prej 48 orësh, Shqipëria po përjeton lëvizjen më …