Dhuna e policisë ndaj të rinjve/ Reagon OKB: Të garantohet siguria dhe dinjiteti i protestuesve

Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar për protestat në Tiranë, duke shprehur shqetësim për dhunën dhe rritjen e tensioneve.

OKB i kushton vëmendje të posaçme edhe veprimeve të forcave të rendit, duke kërkuar përmbajtje dhe proporcionalitet.

“Ne theksojmë nevojën për përmbajtje dhe proporcionalitet në veprimet e forcave të rendit, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe respektimin e pronës publike dhe private”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e saj, OKB riafirmon të drejtën për tubim paqësor, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, ndërsa kërkon garantimin e sigurisë dhe dinjitetit të qytetarëve.

“Ne riafirmojmë të drejtat themelore për tubim paqësor, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së sigurisë dhe dinjitetit të të gjithëve, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kuadrit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.

Në fund, Organizata e Kombeve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve që të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të tregojnë vetëpërmbajtje, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, duke mbështetur vlerat e paqes, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe respektimit të shtetit të së drejtës.”

About Redaksia

Check Also

Thirrje qeverisë/ Qeveria gjermane reagon për protestat në Shqipëri

Në një kohë kur protestat në Shqipëri janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes demonstruesve …